

Beograd, 20 nëntor 2026 – Në qarqet politike dhe mediatike të Beogradit po qarkullon gjithnjë e më shpesh emri i Dejan Shoshkiqit si kandidat të mundshëm për të drejtuar qeverinë e re serbe të dalë nga Lista Studentore, ndonëse vendimmarrja mbetet e hapur dhe varet nga zhvillimet brenda plenumeve studentore, të cilat funksionojnë si një parlament në hije. Shoshkiqi, i cili u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Beogradit në vitin 1989 si studenti i gjeneratës, kreu studimet pasuniversitare dhe doktoraturën në financa, u specializua në Francë, Shtetet e Bashkuara dhe Bankën Kombëtare të Zvicrës si bursist i programit Fulbright dhe ka shërbyer si guvernator i Bankës Popullore të Serbisë deri në dorëheqjen e tij pas ardhjes në pushtet të partisë së Aleksandar Vuçiqit, vjen nga një familje me rrënjë të lidhura ngushtë me Gucinë dhe historinë e Malit të Zi.
I ati i tij, Branisllav Shoshkiq, lindi në vitin 1922 në Guci, pranë kufirit me Shqipërinë në një hapësirë me prani të ndjeshme shqiptare, u angazhua qysh i ri në lëvizjen antifashiste dhe në fund të vitit 1941 u arrestua në Berane për t’u internuar më pas në kampet e ngritura nga fashistët italianë në Shqipëri, ku dërgoheshin zakonisht të internuarit nga Mali i Zi dhe Sanxhaku, si në Kavajë, Klos, Berat, Porto Palermo apo Pukë. Branisllav Shoshkiqi, i cili kreu gjimnazin në Novi Pazar e Berane, shërbeu si kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, si profesor i ekonomisë në Universitetin e Beogradit dhe si kryetar i Republikës së Malit të Zi në vitet 1985–1986, përpara se të ndahej nga jeta në Beograd në vitin 2022 në moshën nëntëdhjetenëntëvjeçare.
Edhe pse Dejan Shoshkiqi deklarohet si serb, mediat pranë ish-regjimit të Aleksandar Vuçiqit, si Informer, e kanë sulmuar si kuadër malazez dhe pasardhës të një familjeje të lidhur me regjimin komunist, teksa përpara zgjedhjeve u ngritën alarme të drejtpërdrejta ose të tërthorta mbi rrezikun që malazezët të qeverisnin Serbinë. Të njëjtin etiketim si malazez e mori edhe Ilija Sërdanoviq, i cili kryesoi Listën Studentore dhe ndonëse ka lindur e është rritur në Novi Sad të Vojvodinës, rrjedh nga fshati Bukovica në zonën e Durmitorit në Mal të Zi, ku u bë i njohur për mbrojtjen e një lumi dhe për mbështetjen ndaj lëvizjes studentore, ndërsa u godit në media bulevardeske me akuza të pabaza për lidhje me klanin kriminal të Kavaçit apo me rolin e tij si kardiolog e ish-mjek personal i Millo Gjukanoviqit.
Debati mbi origjinën e figurave të Listës Studentore ka nxitur reagime ironike nga Mali i Zi, ku politologu Ljubomir Filipoviq shkroi në rrjetet sociale në shtator se mezi pret që Sërdanoviqi të bëhet kryeministër serb që të sundohet sërish atje, të bëhet gjuha malazeze zyrtare, të nënshkruhet Marrëveshja Themelore me Kishën Malazeze dhe t’u jepen pasaporta aktivistëve liberalë e komitë, duke kundërshtuar me sarkazëm kërkesat e Beogradit për zgjerimin e të drejtave të serbëve në Mal të Zi. Ndërkohë, edhe profesori i kimisë dhe deputeti i Listës Studentore, Radomir Saiçiq, është shprehur se është krenar për origjinën e tij malazeze nga fisi i Vasojeviqëve, për të cilin ekzistojnë tradita e studime që trajtojnë lidhjet historike dhe fisnore në hapësirën shqiptaro-malazeze, përfshirë supozimet e Mark Milanit dhe studimet e Eqrem Çabejt mbi vëllazërinë e fiseve Nikaj, Krasniq dhe Vasojeviq, si dhe aludimet në mediat serbe për lidhje familjare me luftëtarin e Luftës Ruso-Japoneze, Aleksandar Lekso Saiçiq, në një vijë që ripërtërin makismën e vjetër se malazezët janë pak, por të shpërndarë gjerësisht në pozita të larta.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






