Transmetuar më 20-11-2026, 14:40

PRISHTINË — Autoritetet e Kosovës kanë rrënuar dy shtëpi pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të vendit, dhe kanë paralajmëruar largimin e katër verandave të tjera, në kuadër të një aksioni kundër ndërtimeve pa leje, i cili ka nxitur reagimin e Beogradit.

Aksioni i 20 nëntorit vjen disa muaj pasi Bashkimi Evropian kishte kërkuar pezullimin e rrënimeve në këtë zonë, për shkak të shqetësimeve lidhur me respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore.

Ministrja e Mjedisit e Kosovës, Fitore Pacolli, njoftoi më 20 nëntor se Inspektorati i ministrisë që ajo drejton kishte nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje pranë Ujmanit, përkatësisht katër verandave dhe dy shtëpive, ndërsa paralajmëroi aksione të ngjashme edhe pranë liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.

“Pas rrënimit të të gjitha ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, po i kthehemi Ujmanit. Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim”, shkroi Pacolli.

Policia e Kosovës konfirmoi se ka asistuar Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit në rrënimin e dy shtëpive pranë Ujmanit. Shefi i Planifikimit dhe Vlerësimit Operacional në Policinë e Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Erduan Baliqi, tha se rrënimi i dy shtëpive ka përfunduar, ndërsa pronarët e katër verandave janë pajtuar t’i rrënojnë vetë ato.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse objektet e përfshira në aksion kanë qenë pjesë e ndonjë procedure gjyqësore dhe nëse pronarëve u janë dorëzuar vendimet për rrënim.

Eksperti ligjor për çështje pronësore, Korab Dibra, ka shpjeguar më herët se neni 23 i Ligjit për Pronën Publike në Kosovë nuk lejon fitimin e pronësisë mbi pronat publike përmes shfrytëzimit afatgjatë apo ndërtimeve pa leje.

“Kjo dispozitë e përjashton mundësinë e fitimit të pronësisë në pronën publike, nëse është ndërtuar pa leje, qoftë edhe me aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, shprehet Dibra.

Sipas tij, ndërmarrja publike ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron nga ndërhyrjet e paautorizuara, por rrënimi nuk mund të kryhet përderisa kërkesa për legalizim ose ankesa përkatëse është ende në shqyrtim.

Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi aksionin, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe shkelje të të drejtave pronësore të serbëve. Sipas saj, dy shtëpitë e rrënuara u përkisnin familjeve Radojkoviq dhe Drobnjak, ndërsa pronarëve të katër objekteve në fshatin Kopiloviq u është kërkuar të rrënojnë vetë pjesë të ndërtimeve të tyre, përfshirë verandat dhe muret mbajtëse.

Kjo zyrë e akuzoi Qeverinë e Kosovës për veprime të drejtuara kundër komunitetit serb dhe paralajmëroi se do të kërkojë reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke iu referuar thirrjeve të mëhershme të BE-së dhe OSBE-së për respektimin e procedurave ligjore.

Edhe Lista Serbe e dënoi aksionin, duke pretenduar se rrënimet po vazhdojnë pavarësisht procedurave gjyqësore në zhvillim dhe mungesës së vendimeve përkatëse të autoriteteve kompetente, ndërsa kërkoi pezullimin e tyre dhe ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Rrënimi i disa objekteve pranë Liqenit të Ujmanit kishte nisur në fund të qershorit, ndërsa më 21 korrik autoritetet e Kosovës rrënuan 11 shtëpi që, sipas ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc, ishin ndërtuar pa leje në pronën që ajo administron.

Aksionet e verës nxitën reagimin e Bashkimit Evropian, i cili më 22 korrik dhe sërish më 4 gusht kërkoi pezullimin e menjëhershëm të rrënimeve dhe gjetjen e zgjidhjeve ligjore derisa gjykatat kompetente të merrnin vendime përfundimtare për kontestet pronësore. Kjo çështje u përfshi edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, i cili vuri në pikëpyetje kompetencat e Policisë për t’u asistuar ndërmarrjeve publike në marrjen në posedim dhe rrënimin e pronave pa vendime të përshtatshme gjyqësore ose administrative.

Liqeni i Ujmanit, pjesa më e madhe e të cilit shtrihet në komunën e Zubin Potokut, është një nga burimet më të rëndësishme ujore të Kosovës, uji i të cilit përdoret për furnizimin e qytetarëve, ujitjen e tokave bujqësore dhe ftohjen e termocentraleve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit