Transmetuar më 20-11-2026, 13:53

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun se po pengojnë ndërhyrjen e nevojshme mjekësore për Erion Veliajn, i cili ndodhet në paraburgim me frakturë në këmbë.

Në një reagim publik, Berisha e cilëson këtë qëndrim çnjerëzor dhe akuzon prokurorët e çështjes për heshtje, ndërsa u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Komitetin Antitorturë, KiE-në, OSBE-në, OKB-në dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar trajtimin mjekësor të Veliajt.

“Qëndrim çnjerëzor i dyshes famëzezë Rama-Lubia! Lubia dhe Palloshi i saj i gjatë Edvin Balluku rikthejnë standardet më të zeza e më çnjerëzore të diktaturës më të egër në qëndrimin ndaj të burgosurit Erion Veliaj. Të dashur miq, avokati i të burgosurit Erion Veliaj dhe së fundmi edhe vetë ai, me një letër drejtuar Lubi Ballukut, akuzojnë Lubinë dhe Ramën se nuk i lejojnë ndërhyrjen e domosdoshme në këmbën e thyer, si ndëshkim për kundërshtimin e urdhrave të tyre për t’ia dorëzuar Bashkinë e Tiranës benjaminit të tyre, Arbër Hajdari”, shkruan Berisha.

Më tej, kreu i demokratëve shton se moslejimi i ndërhyrjes kirurgjikale vë në rrezik jetën e tij, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të organizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut.

“Me këtë qëndrim çnjerëzor ndaj një të burgosuri me frakturë të kërcirit, dyshja famëzezë Lubi dhe Edvin Balluku dëshmojnë se e duan të vdekur sa më parë Erion Veliajn. Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim të standardeve më të zeza, shtazore, të bastardëve të bllokmenëve hoxhistë, por edhe qëndrimin absolutisht çnjerëzor të prokurorëve të çështjes, të cilët heshtin para këtij krimi shtetëror. U bëj thirrje Komitetit Antitorturë, Komisionerëve për të Drejtat e Njeriut pranë KiE-së, OSBE-së, OKB-së dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar trajtimin ligjor të të burgosurit Erion Veliaj, jeta e të cilit është në rrezik të lartë nga dyshja shtazore Lubi dhe Edvin Balluku”, përfundon reagimi i tij.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit