

TIRANË — Erion Veliaj i ka drejtuar një letër nga ambientet e paraburgimit Belinda Ballukut, në cilësinë e drejtueses politike të Qarkut Fier, përmes së cilës kërkon miratimin për kryerjen e një operacioni në këmbë në Tiranë, pranë mjekut dhe familjes së tij.
Në letrën e tij, Veliaj shprehet se po e kalon izolimin në IEVP Fier prej një muaji me një këmbë të thyer dhe me nevojë akute për ndërhyrje kirurgjikale, duke theksuar se kërkesat e tij të njëpasnjëshme pranë qeverisë, kryeministrit Edi Rama, ministrit Gogu dhe drejtoreshës së Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Znj. Balluku – Drejtuese e Qarkut Fier, Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është ‘sekret’”, shkruan ai në nisje të letrës.
Më tej, Veliaj shton me ironi se tashmë po u bashkohet atyre që besojnë se vendimmarrja nuk kalon më nga kryeministri, duke i kërkuar drejtpërdrejt Ballukut ndërhyrjen për kryerjen e operacionit.
“Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër. Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike. Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime. Socialisti ‘me duar të lidhura’. Erion Veliaj”, përfundon letra e tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






