

TIRANË — Detaje të reja janë zbardhur nga skema e mashtrimit përmes së cilës 25-vjeçari Albi Muça tentoi t’i merrte 1 milion euro një ndërtuesi në Tiranë, duke u prezantuar si kryeministri Edi Rama.
Sipas të dhënave hetimore, Muça ka kontaktuar ndërtuesin përmes aplikacionit të komunikimit “Signal”, ku është prezantuar si kreu i qeverisë dhe i ka kërkuar shumën prej 1 milion eurosh.
Në vijim të komunikimit, ai i ka thënë biznesmenit se nuk do të shkonte vetë për të tërhequr paratë, por do të dërgonte një person tjetër për t’i marrë ato. Kjo mënyrë komunikimi ka ngritur dyshime te ndërtuesi, i cili ka kuptuar se bëhej fjalë për një skemë mashtrimi dhe ka vendosur të denoncojë menjëherë rastin në Polici.
Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar operacionin e koduar “Request”, duke ndërhyrë në momentin kur Albi Muça po merrte shumën e parave, çka çoi në arrestimin në flagrancë të 25-vjeçarit.
Ndërkohë, Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






