Transmetuar më 20-11-2026, 11:42

TIRANË — Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë një sërë masash ndëshkuese për incidentet dhe shkeljet e regjistruara në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, kampionatet e moshave dhe aktivitetet rajonale, duke vendosur gjoba financiare për klubet dhe pezullime për zyrtarë e futbollistë.

Për sjellje të gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës, KF Vllaznia dhe KF Skënderbeu janë dënuar secili me gjobë në masën 50.000 lekë, në bazë të nenit 17/2/b të Kodit të Disiplinës dhe Etikës. Me të njëjtën shumë prej 50.000 lekësh është gjobitur edhe Flamurtari FC për mosrespektim të rregulloreve dhe shkaktim vonesash në fillimin e lojës, gjobë e cila në zbatim të nenit 76/1/a aplikohet në masën 50 për qind, ndërsa zyrtari i këtij klubi, Alfred Ferko, është pezulluar me 2 ndeshje për protesta ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Masën më të rëndë të pezullimit mes futbollistëve e ka marrë lojtari i KF Shiroka, Oltion Drabeja, i cili është dënuar me 6 ndeshje pezullim për shkelje të rregullave të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Me nga 4 ndeshje pezullim janë ndëshkuar futbollistët Antonio Bakiu dhe Skerdi Shabani të KF Skrapari, Klisman Kallajxhiu i KF Shkodra, Alviano Syziu dhe Daislar Pepa të KF Mirdita, si dhe Azis Pepa i KF Osumi. Ndërkohë, me nga 3 ndeshje pezullim për sjellje të dhunshme ndaj kundërshtarëve janë dënuar Gabriel Michael Elkana i Eagle Football, Gjyrkan Shehi i KS Shkumbini dhe Frenklin Kamberi i KF Gramozi, kurse me 2 ndeshje janë pezulluar Elton Maksuti i Eagle Football dhe zyrtari i KSSH Veleçiku, Nuri Rexhaj.

Në Kategorinë Superiore të Vajzave, KF Lushnja Vajza është gjobitur me 100.000 lekë, e aplikueshme në masën 5 për qind, dhe me lënien në fuqi të rezultatit të fushës për braktisjen e ndeshjes kundër KF Teuta Vajza. Në kampionatet e moshave, FC Kinostudio U-19 humbet në tavolinë 3-0 takimin ndaj Kamza Sport U-19 për aktivizim të një lojtari pa të drejtë loje, ndërsa zyrtari Klaudian Gjonpalaj është pezulluar për 6 muaj. Po ashtu, me 3 muaj pezullim është dënuar zyrtari i Kola Junior U-13, Elvis Kola, dhe klubi i tij me 300.000 lekë gjobë dhe humbje 3-0 në tavolinë për braktisjen e takimit ndaj Studentët B U-13.

Pezullime me nga 4 ndeshje në kategoritë e moshave kanë marrë lojtari i KF Lushnja U-19, Tomi Hoxha, si dhe zyrtari Matios Metaj dhe lojtari Orvyn Bajrami të AF Triumph U-13, ndërsa me 2 ndeshje janë ndëshkuar Donald Reka i KF Teuta U-18 dhe Serxhio Velkaj i KF Tirana U-17. Për braktisje ndeshjesh me humbje 3-0 në tavolinë dhe gjoba nga 100.000 deri në 200.000 lekë, të aplikueshme në masën 3 për qind, janë dënuar edhe ekipet Falkon B U-11, Kamza 07 U-17, Don Bosko Academy U-14 dhe Kamza 07 U-19, ndërsa Komisioni ka rrëzuar si të pabazuara kërkesat e lojtarit të FK Partizani U-18, Jon Çaushi, dhe zyrtarit të FK Lushnja, Dorian Bubeqi.

Në aktivitetin Sunday League 9×9, Komisioni ka paralajmëruar skuadrat FC Tigres, Domja, North Gate, Legjendat, MD, ATS, Elso, Three Lions, Antigonea, FC Dymbëdhjeta, Bulqiza dhe Barrikada se në rast përsëritjeje të mospërmbushjes së detyrimeve financiare do të përballen me masa disiplinore, duke saktësuar se kundër këtyre vendimeve lejohet ankim brenda 3 ditëve përpara Komisionit të Apelit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit