

ANKARA — Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se bota po përjeton një periudhë të thellë paqëndrueshmërie gjeopolitike, duke deklaruar se “rendi i vjetër botëror po shembet” dhe ende nuk dihet se çfarë do ta zëvendësojë atë.
Gjatë fjalimit para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, Erdogan tha se pas zhvillimeve të dukshme diplomatike zhvillohet një garë për pushtet më e ashpër dhe më shkatërruese nga ajo që pasqyrohet në media.
Ai përmendi luftën Rusi–Ukrainë, me humbje të rënda për të dyja palët, si dhe vendosjen e aeroplanmbajtëseve amerikane në Gjirin Persik si shembuj të tensioneve në rritje.
Një pjesë të fjalimit Erdogan ia kushtoi situatës në Gaza, duke akuzuar Izraelin për vazhdimin e vrasjeve, izolimit dhe vështirësive të rënda humanitare, të cilat sipas tij do të rëndohen edhe më shumë me afrimin e dimrit.
Ai e cilësoi Gazën si “kampin më të madh të përqendrimit në botë”, veçoi gjendjen e fëmijëve pa strehim të përshtatshëm dhe u bëri thirrje vendeve muslimane të rrisin presionin ndaj Izraelit dhe ndihmat humanitare. Erdogan bëri të ditur se Turqia është e gatshme të dërgojë strehime të përkohshme me kontejnerë në Gaza.
Në fund të fjalimit, presidenti turk iu rikthye historikut 24-vjeçar të AKP-së që nga fitorja zgjedhore e 3 nëntorit 2002 dhe mbledhjes së parë parlamentare më 18 nëntor të po atij viti, duke deklaruar se partia nuk është larguar nga parimet e saj themeluese dhe vijon të gëzojë mbështetje në të 81 provincat e Turqisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






