

Tiranë, 19 nëntor 2026 – Aktivistja e njohur ndërkombëtare Greta Thunberg i është bashkuar mbrëmjen e sotme protestuesve në Tiranë, në ditën e 173-të të qëndresës së pandërprerë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke shprehur solidaritetin e saj me qytetarët shqiptarë dhe atë që është pagëzuar si "Revolucioni i Flamingos". Në një videomesazh të regjistruar drejtpërdrejt nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", përballë godinës së Kryeministrisë, ajo vlerësoi këmbënguljen qytetare në mbrojtje të mjedisit, lirisë dhe kundër korrupsionit.
Gjatë fjalës së saj mes tubuesve, Thunberg u ndal veçanërisht te klima e tensionuar dhe reagimi i forcave të rendit në terren, duke e cilësuar trajtimin ndaj qytetarëve si një formë të paprecedentë represioni shtetëror. “Jemi aktualisht në Tiranë, Shqipëri, në ditën e 173-të të protestës së pandërprerë gjatë Revolucionit të Flamingos. Populli shqiptar ka treguar se si mund të bëhet rezistencë kundër shkatërrimit të natyrës, shitjes së vendit fuqive imperialiste, si dhe kundër dhunës shtetërore dhe korrupsionit. Dhe e gjithë kjo, thjesht duke ushtruar të drejtat dhe liritë e tyre themelore, përfshirë të drejtën për të protestuar”, deklaroi aktivistja.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, ajo theksoi se protestuesit shqiptarë janë përballur me dhunë dhe presion të vazhdueshëm nga policia dhe strukturat shtetërore, por siguroi se vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar mbi zhvillimet në kryeqytetin shqiptar. “Protestuesit janë përballur me dhunë dhe represion të paprecedentë nga policia dhe shteti. Bota qëndron në solidaritet me Revolucionin e Flamingos dhe po ndjek me vëmendje gjithçka që po ndodh”, përfundoi Greta Thunberg nga sheshi i protestës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






