Transmetuar më 19-11-2026, 16:21

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Bronx të New Yorkut, ku një 56-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy oficerëve të policisë, përpara se të barrikadohej në banesën e tij dhe t’i jepte fund jetës.

Ngjarja ndodhi të hënën, më 16 nëntor, në kompleksin e banesave Co-op City. Dy oficerët kishin mbërritur në apartamentin e 56-vjeçarit për të kryer një kontroll të gjendjes së tij shëndetësore, pas një kërkese të marrë nga autoritetet.

Pamjet e regjistruara nga kamera e trupit të njërit prej efektivëve tregojnë momentin kur policët tentojnë të hapin derën e apartamentit, por 56-vjeçari hap zjarr përmes saj, duke i plagosur të dy në gjymtyrë.

Pas sulmit, autori u barrikadua brenda banesës së tij, në katin e 25-të të pallatit, duke detyruar policinë të angazhonte forcat speciale SWAT për ndërhyrjen.

Dy oficerët e plagosur u transportuan në spital. Njëri prej tyre u largua pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa tjetri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas raportimeve, të dy pritet të rikuperohen.

Operacioni përfundoi pasi forcat speciale gjetën 56-vjeçarin të vdekur brenda apartamentit, me një plagë arme zjarri të shkaktuar nga vetë ai.

Një detaj i veçantë i ngjarjes ishte fakti se njëri prej plumbave goditi radion e komunikimit të njërit prej oficerëve, duke dëmtuar pajisjen. Ky incident mund të ketë ndihmuar në mbrojtjen e efektivit gjatë të shtënave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit