Transmetuar më 19-11-2026, 16:45

Turqia po shqyrton shkurtimin e kohëzgjatjes së studimeve universitare nga katër në tre vite, në kuadër të një reforme që synon përshpejtimin e hyrjes së të rinjve në tregun e punës dhe përballjen me ndryshimet demografike në vend.

Presidenti i Këshillit të Arsimit të Lartë në Turqi (YÖK), Erol Özvar, ka argumentuar se periudha e gjatë e studimeve ndikon në shtyrjen e martesave dhe krijimit të familjeve, ndërsa vonon edhe përfshirjen e të rinjve në jetën ekonomike.

“Popullsia jonë po tregon një trend në rënie. Shkalla e lindshmërisë ka rënë. Martesat po ndodhin në moshë më të madhe. Popullsia e Turqisë tani është në një pikë kritike”, deklaroi Özvar në një intervistë për CNN Turk.

Sipas tij, universitetet janë përgatitur prej rreth një viti për këtë ndryshim. Ai vlerësoi se kohëzgjatja e përgjithshme e arsimimit, e cila në Turqi arrin deri në 16 vite, është tepër e gjatë dhe ndikon në vonesën e fillimit të karrierës profesionale.

Özvar solli si shembull studentët meshkuj, të cilët, duke llogaritur edhe shërbimin ushtarak, praktikat profesionale dhe kohën e nevojshme për të gjetur një punë, mund të hyjnë në tregun e punës vetëm në moshën 26 ose 27 vjeç.

Reforma e propozuar nuk kufizohet vetëm te shkurtimi i viteve të studimit. Kreu i Këshillit të Arsimit të Lartë kërkoi gjithashtu reduktimin e numrit të lëndëve dhe përditësimin e programeve mësimore, në mënyrë që ato të jenë më të përshtatura me nevojat aktuale të tregut të punës.

Sipas Özvar, në programet universitare në Turqi zhvillohen rreth 60 lëndë, ndërsa në shumë universitete evropiane numri i tyre varion nga 20 deri në 25. Ai u bëri thirrje drejtuesve të universiteteve të vijojnë procesin e ndryshimeve dhe të përfshijnë më gjerësisht inteligjencën artificiale në procesin mësimor.

Propozimi vjen në një kohë kur Turqia po përballet me rënie të lindshmërisë dhe shtyrje të moshës së martesës, zhvillime që autoritetet i konsiderojnë sfida për të ardhmen demografike të vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit