Transmetuar më 19-11-2026, 14:46

Çështja e vjedhjes së qindra mijëra eurove nga pensionet në Durrës është bërë pjesë e diskutimeve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku e ngriti këtë çështje gjatë mbledhjes, duke kërkuar sqarime për fatin e parave të pensionistëve. Në fjalën e saj, ajo iu referua rastit të drejtoreshës së Postës në Durrës, e cila është përmendur në dosjen e hetimit, si dhe vështirësive ekonomike me të cilat përballen të moshuarit.

“Çfarë ka ndodhur me vjedhjen e parave? E kemi parë atje me lekë drejtoreshën e postës së Durrësit, ndërsa pensionistët rrinë atje e numërojnë kacidhet. Dhe ju të thoni se do ju japim bonus në prill përpara zgjedhjeve”, deklaroi Tabaku.

Gjatë diskutimit, vëmendje tërhoqi edhe prania e deputetes socialiste Etleva Budini, emri i së cilës është përmendur në lidhje me këtë çështje. Ajo qëndroi me kokën ulur gjatë ndërhyrjes së Tabakut.

Ndërkohë, deputeti socialist Ramion Kurti reagoi ndaj akuzave dhe problematikave të ngritura më herët nga deputeti Agron Gjekmarkaj, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe votës së qytetarëve.

Çështja e pensioneve në Durrës vijon të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të dyshimeve për përvetësimin e fondeve që u përkisnin të moshuarve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit