Transmetuar më 19-11-2026, 13:00

TIRANË — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi ditën e sotme gjatë një konference për mediat se rrogat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind, rrogat e mesme me 30 për qind, ndërsa rrogat e larta nuk duhet të preken. Ai theksoi gjithashtu se asnjë pension në Shqipëri nuk duhet të jetë më i ulët se 200 euro.

Lideri demokrat u shpreh se këto masa mund të financohen pa asnjë vështirësi përmes përgjysmimit të menjëhershëm të shpenzimeve operative të administratës dhe rishikimit të fondeve të parashikuara për tendera dhe prokurime publike, duke sjellë si shembull reduktimin e automjeteve në dispozicion të drejtuesve të institucioneve dhe zëvendësministrave.

“Përgjysmimi i menjëhershëm i të gjitha shpenzimeve operative është absolutisht pa asnjë pasojë në funksionimin e administratës, përkundrazi krijon një mjedis më transparent dhe më pak korruptiv. Drejtorët me tre vetura, asnjë veturë. Zëvendësministrat me dy vetura, asnjë veturë. Shtesë në rrugë për mjetin e udhëtimit, personal ta kenë, shtesë për naftën”, deklaroi Berisha.

Duke u ndalur te fondi i pagave dhe investimeve, kreu i PD-së argumentoi se burimet financiare ekzistojnë, por keqpërdoren nga qeveria. “Fondi i përgjithshëm i rrogave është rreth 103 miliardë lekë. Rritja e rrogave të ulëta në 50 për qind dhe rrogave të mesme në 30 për qind përballohet pa asnjë vështirësi, sepse këta kanë lënë për tendera dhe prokurime 2.2 miliardë euro. Rrogat e larta nuk duhet të preken, pasi janë më të lartat në rajon dhe shkojnë deri në 70 për qind të pagave të BE-së, ndërsa paga mesatare është 15-20 për qind e saj”, përfundoi Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit