

PRISHTINË — Është shtyrë për një kohë të pacaktuar vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës me tri pika të rendit të ditës, ndër të cilat ishte edhe shqyrtimi i Ligjit për Specialen.
Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, ka deklaruar se vendimi për shtyrjen e kësaj seance ka ardhur pas “diskutimeve të ngjeshura” mes shefave të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve politikë të këtyre grupeve.
Para orës 10:00, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti. Ajo është shprehur se nuk kanë dallime për përmbajtjen e ligjit, por vetëm për çështjet procedurale, ndërsa para nisjes së seancës janë parë diskutime mes saj dhe kreut të qeverisë.
Në rend dite të kësaj seance, krahas rishqyrtimit të ligjit që synon t’ia kufizojë mandatin Gjykatës Speciale, ishte edhe votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, si dhe votimi i propozim-rezolutës nga mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






