Transmetuar më 19-11-2026, 12:22

FIER — Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq drejtuesin teknik Robert Shehaj, si dhe shoqërinë “Al Global Oil” si person juridik, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, të parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 1484 të vitit 2023 rezultoi se ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, në zonën e Drizës, Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit të uzinës, ku sipas Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar dhe brenda vlerave kufi.

Nëpërmjet kësaj pike, ujërat teknologjike të ndotura me lëndë hidrokarbure janë derdhur në një përrua që, pas rreth 17 metrash, përfundon në lumin Gjanica. Sipas organit të akuzës, këto ujëra ishin gjeneruar gjatë punës së uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndalimit të aktivitetit të saj.

“Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – ‘Gjendje e keqe’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas hetimeve, drejtuesi teknik i uzinës, ndonëse e njihte ekzistencën e kësaj pike shkarkimi dhe kishte detyrimin dhe mundësinë ta mbyllte, ta kontrollonte ose ta pajiste me trajtim, nuk ka marrë asnjë masë. Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë, e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet drejtuese.

Këto rrethana janë provuar me aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, me këqyrjen e vendit të ngjarjes, me analizat laboratorike, me deklarimet e personave që kanë dijeni dhe me aktin e ekspertimit teknik-mjedisor.

Prokuroria e Fierit bën të ditur se mbetet e angazhuar në hetimin e veprave penale kundër mjedisit, duke vënë në pah ndotjen e lumit Gjanica si një problem të mprehtë për cilësinë e ujërave dhe për botën bimore e shtazore, dhe se në bashkëveprim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit do të vijojë hetimin me përparësi të çdo rasti të shkarkimit të lëndëve ndotëse në këtë lumë.

Njoftimi i plotë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin R.Sh. dhe shoqërinë ‘A’ si person juridik për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës’ parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1484, të vitit 2023, nga provat e marra gjatë hetimeve paraprake rezultoi se ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, në Drizë, Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit të uzinës, ku sipas Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar dhe brenda vlerave kufi.

Nëpërmjet kësaj pike, ujërat teknologjike të ndotura me lëndë hidrokarbure janë derdhur në një përrua që, pas rreth 17 metrash, përfundon në lumin Gjanica. Këto ujëra ishin gjeneruar gjatë punës së uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndalimit të saj.

Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – “Gjendje e keqe”.

Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm, Fier rezultoi se drejtuesi teknik i uzinës, R.Sh., ndonëse e njihte ekzistencën e kësaj pike shkarkimi dhe kishte detyrimin dhe mundësinë ta mbyllte, ta kontrollonte ose ta pajiste me trajtim, nuk ka marrë asnjë masë. Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet e saj drejtuese.

Këto rrethana janë provuar me aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, me këqyrjen e vendit të ngjarjes, me analizat laboratorike, me deklarimet e personave që kanë dijeni dhe me aktin e ekspertimit teknik-mjedisor.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar në hetimin e veprave penale kundër mjedisit, të cilat cenojnë drejtpërdrejt faktorët mjedisorë. Theksojmë veçanërisht ndotjen e lumit Gjanica, e cila përbën një problem të mprehtë mjedisor për cilësinë e ujërave dhe për botën bimore e shtazore të këtij lumi. Prokuroria, në bashkëveprim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe me Policinë e Shtetit, do të vijojë hetimin me përparësi të çdo rasti të shkarkimit të lëndëve ndotëse në lumin Gjanica dhe ndjekjen penale të personave fizikë dhe juridikë përgjegjës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit