Transmetuar më 19-11-2026, 10:27

KORÇË — Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia, pasi hyri me forcë në një klinikë dentare në lagjen nr. 5 të qytetit të Korçës dhe kërcënoi me thikë pronaren e saj me qëllim vjedhjen. Gjatë ngjarjes, ai ka shtyrë me forcë drejtuesen e klinikës, ka arritur të marrë një laptop dhe është larguar nga ambientet e biznesit.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit me iniciale A. Ç., 44 vjeç, banues në Korçë. Nga verifikimet e kryera rezulton se ai është i dënuar edhe më parë për vjedhje me dhunë.

Gjatë veprimeve hetimore, efektivët sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjetin prerës të dyshuar të përdorur për kanosjen, si dhe laptopin e vjedhur në klinikë.

Materialet procedurale iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme, në ngarkim të 44-vjeçarit për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftimi i Policisë:

Korçë/Kanosi me mjet prerës (thikë) dhe shtyu me forcë, pronaren e klinikës dentare ku hyri për të vjedhur, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari, me precedent penal për vjedhje me dhunë.

Sekuestrohen thika e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe një laptop i vjedhur në klinikë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte hyrë në një klinikë private, në lagjen nr. 5, dhe po kanoste me thikë pronaren e kësaj klinike, me qëllim vjedhjen, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit:

-A. Ç., 44 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.

Ky shtetas ka hyrë në ambientet e një klinike dentare, ku pasi ka shtyrë me forcë pronaren e klinikës dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë), ka vjedhur një laptop.Thika e përdorur për kanosjen dhe laptopi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit