

Ish- Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u ankua dje se televizioni shtetëror RTS po e censuronte, deklaratë që shkaktoi të qeshura te deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Deputeti i kësaj liste, Zllatko Kokanoviç, reagoi me ironi ndaj ankesës së Vuçiçit, duke nisur t’i dërgonte puthje nga vendi i tij në sallën e Parlamentit.
Por ish presidenti serb nuk e priti mirë gjestin dhe e cilësoi atë si “ngacmim seksual”. Vuçiç shtoi se “nuk ishte nga ata”, duke nënkuptuar se nuk ishte homoseksual, ndërsa e sfidoi deputetin që puthjet t’ua dërgonte kolegëve të tij parlamentarë, të cilët, sipas tij, ishin të shumtë ata që i përkisnin këtij komuniteti.
"Mos më ço puthje, nuk jam nga ata unë. Mund ta bëni këtë me të tjerë, keni sa kolegë të doni, por mos më çoni mua puthje. Z.kryetar i Parlamentit, unë e mora këtë si ngacmim seksual, por po ju them se nuk jam nga ata", tha ish presidenti autoritar serb.
Më pas, Vuçiç u përpoq të sqaronte se nuk kishte asgjë kundër homoseksualëve. Megjithatë, momenti u bë edhe më ironik për shkak të pranisë së Ana Brnabiçit, e cila ishte ulur pas tij. Brnabiçi, ish-kryetare e parlamentit serb, është politikane që e ka deklaruar publikisht orientimin e saj seksual si lesbike.
Gjatë fjalës së presidentit, ajo u përpoq disa herë të përmbante të qeshurën, duke e bërë edhe më të sikletshme skenën në sallën e parlamentit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






