

TIRANË — Bashkimi i të gjithë fronteve opozitare është formula e nevojshme për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Opinion”.
Teksa zgjedhjet lokale do të mbahen më 9 maj 2027 dhe fushëbeteja kryesore mes mazhorancës dhe opozitës mbetet Tirana, e cila aktualisht drejtohet nga Erion Veliaj nga paraburgimi i Fierit, Bardhi sqaroi se deri më tani nuk ka alternativa konkrete për kandidatët e Tiranës apo për 46 bashkitë e tjera. Ai theksoi se kandidati i opozitës duhet të ketë një profil të konsoliduar të mirëadministrimit dhe përjashtoi mundësinë që kryebashkiaku i radhës të jetë produkt i protestës së “Flamingove”.
“Nuk kemi asnjë para-kandidat për Tiranën. Për mua duhet të jetë një kandidat politik me angazhim politik të konsoliduar, me tregues të aftësisë profesionale në administrimin e punëve ku ka punuar deri më tani, dhe jo një person që nuk ka punuar asnjë ditë në jetën e tij. Nuk mund të bëjmë eksperiment. Unë kam parë që pjesë e flamingove apo studentëve, mbështetës të tyre janë pedagogë, mjekë, inxhinierë. Kanë një lloj profili. E ripërsëris që përsa i përket Bashkisë së Tiranës, nuk mund të bëjmë eksperiment me dikë që nuk ka punuar asnjë ditë të vetme në menaxhimin e një pune”, u shpreh Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat bëri të ditur se brenda këtij viti PD do të dalë me listën e plotë të kandidatëve, pasi tashmë ka nisur procesin e brendshëm të selektimit, paralelisht me ofertën për një front të përbashkët opozitar.
“Paralelisht me ofertën që do të ishte e logjikshme për çdo opozitar për një front të përbashkët, PD ka nisur dhe procesin e brendshëm që nuk përjashton të parin për përzgjedhjen e kandidatit, qoftë për kryetar bashkie dhe për kandidatët për listat e këshillit bashkiak. Brenda këtij viti do të kemi listën me të gjithë kandidatët për të gjithë Shqipërinë. Ka një shumicë brenda kryesisë që mendon që në këtë moment politik, primaret mund të sjellin fragmentarizim”, tha ai.
Lidhur me dy emrat më të votuar të demokratëve në Tiranë, deputeten Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmetin, Bardhi sqaroi se Tabaku nuk ka shprehur vullnet për të kandiduar pavarësisht propozimeve, ndërsa Alimehmetin e cilësoi si një kandidaturë potenciale fituese për shkak të mbështetjes së lartë elektorale.
“Tabaku ka shprehur vullnetin për të mos qenë kandidate se ka kaluar një betejë për zgjedhjet e përgjithshme. Tabaku është më e votuara në listën e Tiranës. I është propozuar nga strukturat e partisë. Sa kohë nuk ka vullnet për të kandiduar, Alimehmeti është një kandidaturë në gjykimin tim fituese e PD. Ka kaluar një performancë të jashtëzakonshme në zgjedhjet e 2025-ës. Do të ishte e padobishme që Alimehmetin ta fusje në proces primaresh me anëtarë të tjerë të partisë”, përfundoi Bardhi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






