

Tiranë, 19 nëntor 2026 – Prirja e të rinjve shqiptarë për të ndjekur arsimin e lartë jashtë kufijve vijon të mbetet në nivele rekord për rajonin, me rreth 11,4 mijë studentë të regjistruar në 32 vende europiane gjatë vitit 2024. Kjo shifër, e cila korrespondon me 9.4 për qind të të gjithë popullatës studentore që studion brenda Shqipërisë, e vendos vendin në krye të Ballkanit Perëndimor. Vetëm brenda Bashkimit Europian numërohen 9,968 studentë nga Shqipëria, një prezencë 28 për qind më e lartë sesa ajo e Serbisë, çka tregon se më shumë se një e treta e të rinjve ballkanas që arsimohen në universitetet e unionit vijnë nga trevat shqiptare.
Struktura e regjistrimeve dëshmon se synimet akademike të studentëve shqiptarë nuk ndalen te diploma e parë universitare, por synojnë specializimin e avancuar. Nga totali i të rinjve që studiojnë jashtë vendit, 54 për qind ndjekin studimet e ciklit të parë bachelor, 39 për qind janë të angazhuar në programe master, ku vërehet një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2022, ndërsa 6 për qind ndjekin studimet e doktoraturës.
Në këtë gjeografi akademike, Italia konfirmohet si qendra kryesore për studimet e ciklit të dytë, duke tërhequr 41 për qind të të gjithë studentëve shqiptarë që ndjekin masterin jashtë vendit. Nga 3,561 të rinj shqiptarë të regjistruar në universitetet italiane, më shumë se gjysma e tyre, ose 1,824 studentë, janë në programe master, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.1 për qind. Kjo preferencë favorizohet ndjeshëm nga politikat lehtësuese të kostove në universitetet publike italiane, ku tarifat bazë variojnë nga 900 deri në 4,000 euro në vit, por ku studentët që përfitojnë përjashtime sociale mund të paguajnë shuma simbolike, si 157 euro në vit në Universitetin e Bolonjës, krahas mbështetjes me bursa rajonale dhe shtetërore që amortizojnë koston mujore të akomodimit prej rreth 400 eurosh.
Paralelisht, Gjermania është shndërruar në destinacionin numër një për kërkimin shkencor dhe studimet e doktoraturës, duke pritur 26 për qind të doktorantëve shqiptarë në Europë, shifër kjo që u rrit me rreth 20 për qind në vitin 2025 duke arritur në 203 studiues. Në total, Gjermania numëron 2,965 studentë nga Shqipëria, duke u renditur e dyta edhe për studimet master me 1,210 të regjistruar. Avantazhi konkurrues i tregut akademik gjerman lidhet me arsimin publik pa tarifa shkollimi për gjashtë semestrat e parë, bursat e akorduara nga institucione si DAAD-i, si dhe mundësinë e punësimit të doktorantëve si kërkues shkencorë me kontrata të mirëpaguara, si në institutet "Max Planck" ku pagesat bruto arrijnë rreth 3,400 euro në muaj. Pas dy vendeve kryesuese, Turqia pozicionohet e treta për studimet master me 270 studentë, e ndjekur nga Austria me 255 dhe Franca me 253, ndërsa kjo e fundit mban vendin e tretë edhe për studimet e doktoraturës me 55 studiues.
Një element dallues i kësaj lëvizshmërie akademike është epërsia e qartë gjinore, ku gratë përbëjnë 63 për qind të totalit të studentëve shqiptarë jashtë vendit, me 7,203 vajza kundrejt 4,167 djemve. Kjo dominancë thellohet edhe më tej në nivelet e larta të kualifikimit akademik, pasi vajzat përfaqësojnë 67 për qind të studentëve në master dhe rreth dy të tretat në doktoraturë, me 429 doktorante kundrejt 225 doktorantëve. Në auditoret italiane të masterit vajzat përbëjnë plot 72 për qind të kontingjentit shqiptar, në Turqi 69 për qind dhe në Gjermani 64 për qind, ku po ashtu mbajnë shumicën dërrmuese të vendeve në programet e doktoraturës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






