

BELSH — Pacientët që kryejnë shërbimin e hemodializës në zonën e Belshit po përballen prej më shumë se dy muajsh me vështirësi të mëdha fizike dhe ekonomike, pasi autoambulanca e vënë në dispozicion nga bashkia ndodhet në servis për shkak të një defekti në motor.
Rreth 10 pacientë nga fshatrat e Belshit detyrohen të udhëtojnë tri herë në javë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit për të marrë këtë trajtim jetik. Për shkak të mungesës së mjetit të transportit, i cili më parë mbulohej me shofer, karburant dhe mirëmbajtje nga Bashkia e Belshit, ata janë të detyruar të paguajnë taksi private ose të përdorin disa mjete të transportit publik.
Njëri prej pacientëve, Bedriu, i cili vuan nga zemra, diabeti dhe prej tri vitesh ka probleme me veshkat, tregon se udhëtimi me taksi vajtje-ardhje u kushton 4 mijë lekë të reja për çdo seancë.
“Dhe 4 mijë lekë me mik e me shok, se jemi shumë larg dhe taksisti duhet të qëndrojë nga ora 06:00 që na merr e deri në 12:00 kur mbarojmë dializën. Mund të kemi edhe ndonjë tension pas dializës dhe duhet të qëndrojmë akoma më shumë”, shprehet ai.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe një pacient 77-vjeçar me probleme të dëgjimit, bashkëshortja e të cilit deklaron se pensioni nuk u mjafton as për transportin e jo më për ushqime dhe ilaçe. Ndërkohë, pacientë të tjerë detyrohen të ndërrojnë deri në tri mjete transporti për një rrugë që zgjat rreth një orë deri në spitalin e Elbasanit.
“Marrim nga dy ose tre mjete. Nga fshati deri në Belsh, nga Belshi me furgonë deri në terminalin në Elbasan dhe në Elbasan me autobusë deri në spital. E njëjta gjë edhe në kthim. Ambulanca është në servis prej dy muajsh, kemi vënë edhe lekë vetë për ta rregulluar, tani na thonë se ka motorin për të bërë”, tregojnë pacientët.
Lidhur me këtë situatë, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Belsh, Alban Nipolli, sqaroi se mjeti është i vitit 2009 dhe po pritet riparimi i motorit në një servis privat për ta rikthyer sërish në shërbim të banorëve.
“Na dhuruan dy autoambulanca; njërën ia kaluam spitalit dhe njërën e mbajtëm vetë. Këtë që mbajtëm vetë e përdorëm për pacientët e dializës. Është prishur prej dy muajsh. E kemi çuar në servisin privat që rregullon mjetet e bashkisë, por ka probleme në motor. Është mjet i vitit 2009. Presim ta rregullojmë dhe ta vëmë në dispozicion sërish të pacientëve”, deklaroi Nipolli.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






