Transmetuar më 18-11-2026, 22:00

SHKUP — Shërbimet greke të sigurisë janë vendosur në gjendje gatishmërie pas zbulimit se një rrjet kriminal nga Irani po planifikonte të godiste objektiva në Greqi. Sipas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, objektivi i sulmit ishte një drejtues i një kompanie izraelite, ndërsa rolin qendror në ngritjen e rrjetit që do të ekzekutonte planin e luajti shtetasi iranian Endris Mavaneh.

Ky person kishte lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet inteligjente iraniane dhe dyshohet se është ai që dha urdhrin për ekzekutimin. Sipas të dhënave të mbledhura nga hetuesit, Mavaneh ia ngarkoi rekrutimin e vrasësve bashkëkombësit të tij, Naji Sharifi Zidashti, një person i kërkuar nga FBI-ja, i cili identifikoi dhe organizoi grupin në Shkup dhe Kumanovë.

Informacionet kyçe që çuan në prangosjen e të dyshuarve iu përcollën autoriteteve në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut nga shërbimi sekret izraelit, Mossad. Ky operacion u zhvillua në një kohë kur zyrtarët izraelitë të sigurisë paralajmërojnë se Teherani po shton përpjekjet për të kryer sulme kundër objektivave izraelite jashtë Lindjes së Mesme, duke e konsideruar të hapur përballjen me Izraelin.

Sipas të dhënave hetimore, anëtarët e grupit po përpiqeshin të hynin në territorin grek për t’iu afruar objektivit dhe për të zbatuar atentatin. Njëri prej tyre u lokalizua në Greqi, u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa një i dytë tentoi të hynte nga Turqia, por iu refuzua hyrja nga autoritetet kufitare greke dhe u kthye mbrapsht.

Komploti terrorist u parandalua falë bashkëpunimit mes shërbimeve të sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe Shërbimit Informativ Grek (EYP). Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB) të Maqedonisë së Veriut, Bojan Hristovski, deklaroi se ky rast konfirmon praktikën e shërbimeve iraniane për të rekrutuar rrjete kriminale në vende të treta, me qëllim fshehjen e përfshirjes së tyre të drejtpërdrejtë.

Në këtë rast, Mavaneh dhe bashkëpunëtori i tij Zidashti dyshohet se rekrutuan gjashtë persona të moshës 29 deri në 73 vjeç nga Shkupi dhe Kumanova, të gjithë me precedentë në krimin e organizuar. Të gjashtë personat kishin marrë përsipër ekzekutimin e kontratës dhe ishin takuar me Mavaneh si në Iran, ashtu edhe në vende të tjera. Deri më tani, katër persona janë arrestuar në Maqedoninë e Veriut gjatë një operacioni ku morën pjesë edhe efektivët e njësisë speciale antiterroriste “Tiger”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit