Transmetuar më 18-11-2026, 21:55

TIRANË — Një i ri ka akuzuar efektivët e Policisë së Shtetit se e kanë dhunuar brenda ambienteve të komisariatit, pasi u shoqërua gjatë protestës së mbrëmshme. Denoncimin publik ai e bëri para godinës së Kuvendit, ku rrëfeu se ndalimi i tij ndodhi në momentin kur po largohej nga tubimi.

Sipas deklaratës së të riut, ai është dhunuar fizikisht dhe është kanosur me fjalë në zyrën e shefit të Komisariatit nr. 1, Ervin Hasrama, nga vetë ai dhe Roki Pepa.

“Isha duke protestuar te Bulevardi, në momentin kur ishim duke ikur nëpër shtëpi, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, vjen një makinë, isha me një shok, më fusin brenda dhe na shoqërojnë te Komisariati nr. 1. Aty në fillim më çojnë në paraburgim, te qelitë aty brenda, dhe vjen njëri më merr e më thotë ‘të kërkon shefi sipër’. Ishte Roki Pepa, filloi me fjalë banale, bashkë me Ervin Hasramën, që më kanë goditur pa pushim. Si për kërcënime, Roki Pepa më tha ‘mos harro se e ke personale’ dhe ‘je me fat se këto pllaka kishe për t’i larë me gjak’, vetë Roki Pepa”, tregoi i riu.

Ai shtoi më tej se nuk e kupton arsyen e këtij trajtimi dhe paralajmëroi se do ta ndjekë çështjen ligjërisht deri në fund, duke detajuar edhe momentet pas ushtrimit të dhunës.

“Nuk e di a është krim të protestosh, por kjo është një gjë që do t’i shkoj deri në fund, nuk e fal. Në protestë as vetë nuk e kuptova, thjesht ‘hajde pak këtu sipër, pse proteston, jo pse po shan’, isha komplet si gjithë turma. Më çuan te zyra e tyre, aty ndodhi çdo gjë dhe më kanë goditur. Ishte vetë Roki Pepa dhe vetë Ervin Hasrama, shefi i Komisariatit numër 1. Pas kësaj dhune sjell një djalë, i thotë të ma kalojë në telefon, kam pasur disa probleme më parë në anën e shëndetësisë, se vëllain e vogël e kam pasur sëmurë dhe nuk më është përgjigjur shteti, dhe tha ‘do t’i rregullojmë pa merak’”, denoncoi ai.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit