

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përgënjeshtruar publikisht gazetarin Blendi Fevziu lidhur me pretendimet se godina historike e Teatrit të Kukullave në Tiranë do të shndërrohet në një qendër kulturore hebraike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja i cilësoi këto zëra si të pavërtetë, duke garantuar se institucioni nuk do të ndryshojë destinacion dhe do të vijojë funksionimin e tij si Teatër Kukullash.
Ministri shprehu keqardhjen që i duhej të përgënjeshtronte një mik dhe gazetar, i cili, sipas tij, kishte të gjitha mundësitë ta verifikonte informacionin përpara se të publikonte një hipotezë të tillë.
Duke e cilësuar Teatrin e Kukullave si një nga institucionet më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në kryeqytet, Gonxhja bëri me dije se vetëm gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026 në këtë skenë janë dhënë 158 shfaqje, të ndjekura nga 16 725 spektatorë.
Në përfundim, ministri apeloi për maturi në publikimin e informacioneve dhe shmangien e dezinformimit, duke theksuar se respekti për ndjeshmëritë e publikut duhet të udhëheqë çdo debat.
Reagimi i plotë i ministrit Blendi Gonxhja:
“E PAVËRTETË! Teatri i Kukullave nuk do të shndërrohet në asnjë funksion tjetër, nuk do të ndryshojë destinacion dhe as nuk do të bëhet një qendër kulturore hebraike!
Pretendimet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale, marrë shkas nga një dalje dhe aludim i gazetarit Blendi Fevziu, për ndryshimin e funksionit të godinës historike të Teatrit të Kukullave, nuk qëndrojnë! Keqardhje që më duhet të përgënjeshtroj një mik e një gazetar që kishte çdo mundësi e akses të pyeste përpara se të nxitonte të lëshonte një hipotezë të tillë, që nuk ia kishte borxh as Teatri i Kukullave, as ekipi i shkëlqyer që e animon e as publiku i vogëlushëve dhe prindërve që atë institucion e duan si drita e syve. Jo se qendrat e kulturave të tjera janë herezi, aspak, por se është e gabuar të përdoret një realitet kaq simbolik duke e përshkruar si të zëvendësueshëm nga diçka që, për shkak të aktualitetit, do të krijonte një ngarkesë të re që të ushqente fantazi e paranoja absurde.
E vërteta është se Teatri i Kukullave vijon të jetë një nga qendrat më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në Tiranë — një hapësirë ku arti, imagjinata dhe edukimi bashkohen çdo ditë përmes shfaqjeve dhe aktiviteteve të shumta, për të cilat mbahet radhë.
Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Teatri i Kukullave ka realizuar 158 shfaqje, atmosferë magjike e argëtim, ndjekur nga 16 725 spektatorë. Krenari e mirënjohje për menaxhimin profesional e të pakursyer.
Godina historike, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, është restauruar dhe rijetëzuar përmes programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga UNOPS, duke u rikthyer në funksion të plotë për publikun sipas projektit tonë.
Sot, përveç skenës teatrore, kjo godinë mirëpret edhe Ekspozitën Muzeale të Kukullave dhe Ekspozitën Muzeale të ish-Parlamentit, duke ndërthurur krijimtarinë artistike me historinë, nostalgjinë dhe kujtesën tonë kombëtare.
Teatri i Kukullave ka një identitet të qartë, një program të vazhdueshëm dhe mijëra spektatorë që i japin jetë!
Respekti për ndjeshmëritë e njerëzve duhet të prijë çdo publikim apo debat, duke evituar dezinformimin.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






