

Irani njoftoi se ka shënjestruar gjatë natës sistemet e dronëve dhe raketave amerikane në Kuvajt, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit. Ky veprim shënon sulmin e parë të Teheranit ndaj shtetit të Gjirit, aleat i Uashingtonit, që prej muajit shtator.
Në kuadër të kësaj vale të re tensionesh të ditëve të fundit, edhe Bahreini bëri të ditur se të mërkurën ka zmbrapsur sulme ajrore iraniane, për herë të tretë brenda një jave. Autoritetet e Bahreinit e akuzuan Teheranin për një “qasje sistematike armiqësore” ndaj mbretërisë së Gjirit, ku ndodhet edhe selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane.
Këto sulme të fundit nxjerrin në pah vështirësitë me të cilat përballen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund një konflikti që ka destabilizuar Lindjen e Mesme, ka penguar transportin detar, ka rritur çmimet globale të energjisë dhe ka përfshirë vende të tjera të rajonit.
Ushtria iraniane deklaroi se ka goditur instalimet amerikane të dronëve dhe raketave në bazën “Ali Al Salem” në Kuvajt, në të njëjtën kohë kur mbrojtja ajrore kuvajtiane raportoi se po zmbrapste sulme me dronë armiqësorë.
Ky zhvillim pasoi sulmet ajrore amerikane të mbrëmjes së të martës, kur avionët luftarakë të SHBA-së goditën një bazë lëshimi raketash në ishullin Qeshm, në hakmarrje për sulmet e mëparshme iraniane ndaj personelit dhe aseteve amerikane, bëri të ditur një zyrtar ushtarak amerikan për agjencinë Reuters. Nga ana tjetër, mediat iraniane, duke cituar një zyrtar vendas, pretenduan se sulmi amerikan nuk ka shkaktuar dëme në infrastrukturë.
Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se asnjë ushtarak amerikan nuk është lënduar në tentativat e sulmeve nga Irani gjatë kësaj jave dhe se i gjithë personeli është i sigurt.
Nga ana e tij, Kuvajti deklaroi se rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, territorin dhe objektet e tij jetike nga çdo agresion apo kërcënim.
Në pamjet e publikuara nga media shtetërore të mërkurën, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Iraniane, Amir Hatami, lëshoi një paralajmërim të ashpër për Shtetet e Bashkuara.
“Nëse armiku e përsërit gabimin e tij, ne kemi gatishmërinë dhe planet për t’u përballur me të dhe mbështetësit e tij në një mënyrë më të fortë, më shkatërrimtare dhe pa kufizime gjeografike”, deklaroi ai.
Sipas Hasan Al Hasan, bashkëpunëtor i lartë për Politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Irani po ndjek një strategji të një përshkallëzimi “të kujdesshëm”. Megjithatë, ai paralajmëron se një përshkallëzim i mëtejshëm nuk përjashtohet, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të zgjerojnë operacionet ushtarake dhe objektivat e tyre, duke goditur jo vetëm infrastrukturën ushtarake bregdetare, por edhe caqe më në brendësi të territorit iranian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






