Transmetuar më 18-11-2026, 18:17

DURRËS — Dosja hetimore për vjedhjen e 69 milionë lekëve të reja në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka marrë një kthesë të rëndësishme, pasi dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë edhe deputetë. Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ia ka përcjellë çështjen Prokurorisë së Posaçme (SPAK), me dyshimin se pas skemës mund të fshihet një grup i strukturuar kriminal.

Në këtë skemë dyshohet se mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë të postës që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Në zgjedhjet e fundit parlamentare garoi si deputete nën siglën e Partisë Socialiste dhe e fitoi mandatin ish-drejtoresha e postës, Etleva Budini.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për pasardhësen e saj në detyrë, Elisabeta Mataj, e cila u prangos menjëherë pas zbulimit të skandalit, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Ky vendim erdhi pas kërkesës së paraqitur nga Mataj dhe mbrojtja e saj, të cilët kundërshtuan pretendimin e prokurorisë se provat e administruara gjatë hetimeve kanë rënduar pozitën e saj procedurale.

Elisabeta Mataj ndodhej në paraburgim prej datës 18 korrik dhe po hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të shumës prej 69 milionë lekësh, fonde që ishin të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. Në të njëjtën dosje nën hetim me masën e sigurisë “arrest shtëpie” janë edhe ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit