Transmetuar më 18-11-2026, 17:36

HAGË — Ndryshe nga tre të bashkakuzuarit e tij, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, të cilëve gjyqtari Christopher Gosnell u konfirmoi se koha e kaluar në paraburgim do t’u llogaritej në dënimin e shqiptuar, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të përfitojë nga kjo mundësi në rastin për pengim të drejtësisë.

Thaçit, të martën, iu shqiptua dënimi prej 17 muajsh burgim, që përkthehet në një vit e pesë muaj shtesë pas dënimit prej 25 vjetësh burgim, të shqiptuar më 16 shtator në rastin për krime lufte. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar arsyetimin për këtë vendim duke iu referuar paragrafit 59 të përmbledhjes së aktgjykimit, sipas të cilit koha e paraburgimit tashmë po i llogaritet në kuadër të dënimit të shkallës së parë për krime lufte.

“Koha që z. Thaçi ka kaluar në paraburgim tashmë po llogaritet si kohë e vuajtur në kuadër të dënimit të tij të shkallës së parë për krime lufte. Prandaj, kjo kohë nuk mund të llogaritet dy herë edhe për këtë dënim të veçantë, për të cilin gjyqtari ka vendosur që të ekzekutohet pas dënimit të parë”, sqaruan Dhomat e Specializuara, duke shtuar se kjo praktikë është e ngjashme me atë të gjykatave të tjera ndërkombëtare dhe se Thaçi gëzon të drejtën e ankimimit në të dyja rastet.

Rasti për pengim të drejtësisë lidhet me përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë në procesin gjyqësor për krime lufte. Sipas aktgjykimit, gjatë vitit 2023, përmes personave që e vizitonin në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi kishte drejtuar dhe organizuar tri grupe, duke përcjellë udhëzime të hollësishme se si duhej të përgjigjeshin dhe çfarë duhej të deklaronin dëshmitarët para gjykatës. Përveç Thaçit, gjyqtari Gosnell dënoi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj burgim, Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht me periudhë prove prej një viti, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjatë seancës së së martës, gjyqtari Gosnell paraqiti detajet e takimeve në paraburgim, duke nisur nga vizita e Fadil Fazliut më 2 korrik 2023, ku u diskutua dëshmia e Rrustem Mustafës. Thaçi e kishte cilësuar Mustafën si dëshmitar vendimtar dhe i kishte dhënë Fazliut porosi konkrete për t’ia përcjellë, duke këmbëngulur t’i shkruante nga frika se mos i harronte, përfshirë udhëzimin: “Shkurt, shkurt. Mos filozofo”.

Rasti i dytë lidhej me vizitat e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, më 9 shtator dhe 7 tetor 2023, gjatë të cilave Thaçi dha udhëzime mbi përmbajtjen e dëshmisë së Bislim Zyrapit, duke kërkuar që të mos përziheshin çështjet e Qeverisë së Përkohshme me ato të Shërbimit Informativ, të mos ngatërroheshin rolet e komandantëve dhe organizimi i UÇK-së të mos përshkruhej sipas modelit të ushtrive të Bosnjës dhe Jugosllavisë. Rasti i tretë kishte të bënte me vizitën e Isni Kilajt dhe Fadil Kryeziut më 6 tetor 2023, ku Thaçi zbuloi informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë të Prokurorisë, përfshirë identitetin dhe deklaratat e mëparshme të një dëshmitari të mbrojtur.

Një tjetër element i aktgjykimit lidhej me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili i kishte dërguar një mesazh Rrustem Mustafës pas pjesëmarrjes së tij në një emision televiziv ku komentoi provat kundër Thaçit. “Shoq, të përgëzoj për profesionalizëm, për idetë e qarta për vendin dhe luftën dhe për guximin. Të lumtë”, shkruhej në mesazhin e Kuçit.

Megjithatë, Gjykata Speciale nuk arriti t’i vërtetojë të gjitha akuzat, duke mos gjetur prova se Isni Kilaj apo Fadil Kryeziu ndërmorën hapa konkretë për të kontaktuar dëshmitarin e mbrojtur, dhe as ekzistencën e një marrëveshjeje mes Thaçit dhe Kuçit për t’u përcjellë udhëzime dëshmitarëve. Po ashtu, nuk u provua se Fazliu, Smakaj dhe Kilaj e ndihmuan Thaçin në zbulimin e informacioneve konfidenciale. Dënimet prej 12 muajsh të Smakajt dhe Fazliut u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim, ndërsa Thaçi u shpall fajtor për pengim të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit