

SUHAREKË — Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në Suharekë të Kosovës, ku një debat mes dy personave për një vend parkimi ka përfunduar me një viktimë.
Sipas raportimeve të mediave vendase, autori i dyshuar i ngjarjes, 60-vjeçari Rrahman Hoti, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 59-vjeçarit Sylë Dakaj, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup që i morën jetën.
Pas krimit, Hoti tentoi të largohej për të humbur gjurmët, por u lokalizua dhe u arrestua brenda pak orësh nga efektivët e Policisë së Kosovës.
Nga verifikimet rezulton se 60-vjeçari ka një të kaluar të rëndë kriminale, pasi më 8 nëntor të vitit 2011 kishte vrarë bashkëshorten e tij pranë vendit të saj të punës në Zvicër, me të cilën jetonte i ndarë.
Për atë ngjarje ai ishte dënuar me 19 vjet burgim nga drejtësia zvicerane dhe pas dëbimit nga shteti helvetik ishte rikthyer në Kosovë, ku kreu krimin e sotëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






