

TIRANË — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur ftesën ndaj partive të reja opozitare për të dalë me një kandidat të përbashkët në garën për Bashkinë e Tiranës. Sipas deklaratave të tij, Partia Demokratike e ka gati emrin e kandidatit të saj, por po pret me durim arritjen e një koalicioni më të gjerë opozitar për marrjen e drejtimit të kryeqytetit.
“Unë nuk e humb durimin. Ftesa ime nuk e ka në bazë faktin se ne nuk kemi kandidat. Ne kemi kandidatë të shkëlqyer, ju garantoj. Por ftesa ime ka në bazë bashkimin e të gjithë faktorëve që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, që e konsiderojnë Edi Ramën një rrezik ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve sqaroi më tej se bashkimi i kërkuar nuk synon tjetërsimin e identitetit politik apo programeve të partive të tjera opozitare, por fokusimin në një front të përbashkët përballë qeverisë aktuale.
“Prapë unë tregoj durim, prapë i ftoj dhe ftesa ime është shumë e qartë. Askush nuk ftohet të ndryshojë programin e tij, të ndryshojë qëndrimin ndaj Sali Berishës apo të ndryshojë platformën e tij. Jo, bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin dhe pastaj të votohet lirisht. Secili merr votat që meriton, secili bën koalicionet që dëshiron. Pra, në këtë kuadër, unë përsëri kam durim, megjithëse i dëgjoj që refuzojnë. Por, në qoftë se janë të vërtetë në qëndrimin për largimin e Edi Ramës, është absolutisht alfa që duhet të bashkohen të gjithë faktorët opozitarë”, përfundoi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






