

Durrës, 18 nëntor 2026 – Vështirësitë dhe vonesat për të tërhequr pensionet vijojnë të shkaktojnë shqetësim të madh te të moshuarit në qytetin e Durrësit. Në filialin e Postës Shqiptare në zonën e Plazhit, pensionistët detyrohen të presin për orë të tëra në radhë, por në shumë raste largohen duarbosh, pasi u komunikohet se fondi ditor i parave në sportele ka përfunduar.
Kjo problematikë, e cila i detyron qytetarët e moshës së tretë të rikthehen të nesërmen duke u përballur sërish me pasiguri dhe lodhje fizike, nuk kufizohet vetëm në zonën e Plazhit, por raportohet e përhapur edhe në lagje të tjera të qytetit bregdetar. “Jo vetëm aty, por edhe në lagje të tjera të Durrësit situata është e ngjashme”, shprehet njëri prej pensionistëve të prekur nga kjo situatë.
Si pasojë e kësaj mangësie, fluksi i krijuar në sportele po rëndohet nga dita në ditë, pasi aty grumbullohen jo vetëm pensionistët që kanë datën e përcaktuar kalendarike për tërheqjen e pagesës, por edhe ata që nuk kanë mundur ta marrin pensionin në ditët e mëparshme. Përballë kësaj gjendjeje, të moshuarit kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Postës Shqiptare për të garantuar furnizimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të sporteleve me likuiditete, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe sorollatjeve të vazhdueshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






