Transmetuar më 18-11-2026, 14:26

Tiranë, 18 nëntor 2026 – Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së tij në Kuvend mbi projektbuxhetin e vitit 2027 përmendi qëndrimet e Majkos në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke i shoqëruar ato me aludime dhe paralajmërime për publikimin e "skenave erotike" brenda mazhorancës. Përmes një reagimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Majko e ironizoi kreun e opozitës, duke u shprehur se i vetmi justifikim për gjuhën e tij është mosha e thyer, e cila po reflektohet edhe te batutat e përdorura në parlament.

Në mesazhin e tij, Majko e sfidoi Berishën mbi demokracinë e brendshme partiake, duke ngritur pyetjen nëse ndonjë anëtar në forumet e Partisë Demokratike gëzon lirinë e fjalës dhe të kritikës ashtu siç ai vetë flet hapur brenda Partisë Socialiste. Ish-kryeministri theksoi se socialistët dinë të ringrihen pas çdo sfide dhe se Berisha nuk ka asnjë mundësi t’i mposhtë ata, pasi nuk mund të përfaqësojë ëndrrën dhe të ardhmen europiane as për të rinjtë që protestojnë sot.

Reagimi i plotë i Pandeli Majkos:

“Berisha më paska përmendur sot në Kuvend…! I vetmi justifikim është mosha e tij! Edhe batutat i ka të ‘moshuara’! Këtë individ, e bënë lider, studentët! Zgjedhjet e tij e bënë atë, ‘non grata’! E vetmja pyetje që duhet t’i bëjë vetes është nëse dikush në forumet e partisë së tij mund të flasë si unë tek partia ime? Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen! Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë! Arsyeja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndërr për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot! Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!”

Më herët gjatë seancës plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu drejtua mazhorancës duke kërkuar llogari mbi denoncimet e artikuluara më parë nga Pandeli Majko, ndërkohë që lëshoi paralajmërime të forta për publikimin e materialeve komprometuese, duke bërë thirrje për largimin e qeverisë.

Deklarata e plotë e Sali Berishës në Kuvend:

“Po denoncimi Majko, nga i jepni ju atij? Na thoni pak! Jo, jo, ta garantoj unë ty, rri ti se ti je rishtar, mos u përziej. Jo, jo se kaq naiv Gjinua nuk është sa të ngatërrojë skenat erotike me skenat e tjera. I keni dhe ato ju! I keni! Dhe do të dalin, ua them unë, do të dalin. Prandaj, më mirë largohuni!”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit