Transmetuar më 18-11-2026, 13:55

Tiranë, 18 nëntor 2026 – Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë ka marrë një kthesë personale përmes një replike të ashpër mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila. Tensioni verbal u regjistrua gjatë diskutimeve politike, kur Berisha e thirri deputeten nga foltorja duke iu drejtuar me epitetin "princesha e Kodrës së Kuajve".

"Ti, princesha e Kodrës së Kuajve, mos bëj asnjë gjest, sepse këto që them unë janë të vërteta dhe të këshilloj t’i denoncosh, se nuk mund ta nisësh kështu karrierën", u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij, duke i kërkuar llogari lidhur me qëndrimet politike dhe integritetin e nisjes së mandatit të saj parlamentar.

Reagimi i deputetes Sara Mila nuk vonoi, e cila i ktheu përgjigje nga vendi, duke hedhur poshtë akuzat dhe duke i kujtuar kreut të opozitës të kaluarën e tij politike dhe ngjarjet e rënda të historisë së vendit. Mila e akuzoi Berishën se merret me përgojimin e mandatit të saj që pa hyrë në Kuvend dhe e ftoi të aplikojë standardin e dorëheqjes te vetja e tij.

“E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë, vazhdon ta përgojojë mandatin tim dhe në ecejaket e oborrit të SPAK-ut, që ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Më bëri thirrje të dorëzoja mandatin. Mirë do të ishte që këtë standard ta niste nga vetja. ‘Dorëzo mandatin’, më thotë mua, ndërkohë që e thërrasin shpirtrat e 26 të vrarëve në Gërdec, 4 në Bulevard e kush e di sa të tjerë në ’97”, iu kundërpërgjigj Mila.

Duke iu referuar aludimeve të bëra në drejtim të saj, deputetja socialiste sqaroi se prania e saj në institucionet e drejtësisë nuk lidhet me akuza apo hetime ndaj saj, ndërsa mbylli replikën duke theksuar se Berisha nuk mund të krahasojë peshën e mëkateve politike me karrierën e saj të re.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit