

TIRANË – Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtare e seancës paraprake për dosjen penale ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë, pasi SPAK dorëzoi zyrtarisht kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim.
Gjyqtarja Zeqiraj do të vendosë nëse dosja do të kalojë për shqyrtim gjyqësor apo do t’i kthehet Prokurorisë së Posaçme për plotësim hetimesh.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, bëhet fjalë për manipulimin e 10 tenderëve me vlerë totale rreth 400 milionë euro pa TVSH, ku përfshihen projekte si Tuneli i Llogarasë, 7 lotet e Unazës së Tiranës, loti 3 i rrugës Porto-Romano–Durrës dhe rikonstruksioni i godinës së Albcontrol. Vetëm për Tunelin e Llogarasë, dëmi ekonomik llogaritet në rreth 80 milionë euro.
Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në 9 raste (pasi për Albcontrol vepra është parashkruar), korrupsion në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, lidhur me dy vila të sekuestruara në Palasë dhe Dhërmi me vlerë rreth 1.8 milionë euro.
Mes 27 të pandehurve të tjerë janë 22 ish-vartës të Ballukut, përfshirë Ervis Berberin, Gentian Gjylin e Erald Elezi, si dhe biznesmenët Arbër Abazi e Pandeli Carapuli. Ndërkohë, ish-futbollisti Igli Tare akuzohet për pastrim parash në dy raste, pasi dyshohet se Balluku fshehu dy vilat në emër të tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






