

Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar pas sulmeve me dronë dhe goditjeve ajrore. Kuvajti ka aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore për të neutralizuar dronët armiq, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave në ishullin Qeshm në jug të Iranit, në përgjigje të një sulmi iranian kundër një instalimi ushtarak amerikan në Bahrein.
Forcat e Armatosura të Kuvajtit njoftuan se sistemet kundërajrore ndërhynë për të kapur mjetet fluturuese që hynë në hapësirën e vendit, pa raportuar ende për viktima apo dëme. Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte sulmuar një sistem radar amerikan në bazën ajrore Sheikh Issa në Bahrein, ndërsa ushtria amerikane theksoi se dronët u interceptuan dhe nuk shkaktuan dëme në pajisje apo personel.
Paralelisht, situata është rënduar në Ngushticën e Hormuzit, ku janë raportuar sulme ndaj anijeve cisternë të naftës. Cisterna Tara Gas, me flamur të Panamasë, u sulmua pranë Khasabit në Oman, duke detyruar ekuipazhin ta braktisë atë pas një zjarri dhe një goditjeje të dytë, ndërsa një marinar indian rezulton i zhdukur. Një tjetër cisternë, On Phoenix, u godit gjithashtu nga një raketë e paidentifikuar në brigjet e Omanit.
Në përgjigje të situatës, SHBA ka forcuar praninë ushtarake në rajon me mbërritjen e aeroplanmbajtëses USS Theodore Roosevelt. Ndërkohë, zhvillimet pritet të diskutohen në takimin trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, atij rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, që do të zhvillohet të enjten në Kinë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






