

Tiranë, 18 nëntor 2026 – Ndonëse qytetarët shqiptarë arkëtuan mesatarisht më shumë të ardhura gjatë vitit 2025, në terma realë ata u bënë më të varfër, pasi me këto mjete financiare mund të siguronin gjithnjë e më pak mallra dhe shërbime krahasuar me vendet fqinje.
Sipas të dhënave të përditësuara për Shqipërinë, të ardhurat mesatare të disponueshme për frymë arritën në 6,731 euro, ose gati 1,100 euro më shumë se një vit më parë, duke shënuar një rritje nominale prej rreth 20 për qind. Ky indikator mat konkretisht paratë që u mbeten familjeve pas pagimit të taksave dhe kontributeve, duke përfshirë edhe përfitimet sociale, çka ofron një pasqyrë shumë më të drejtpërdrejtë të mirëqenies reale sesa prodhimi i brendshëm bruto për frymë.
Megjithatë, kur të ardhurat analizohen sipas standardit të fuqisë blerëse, rritja rezulton dukshëm më e zbehtë, duke u ndalur në 9,592 njësi PPS me një zgjerim prej 12.5 për qind. Ky tregues merr parasysh diferencat e çmimeve mes vendeve dhe e bën të krahasueshme sasinë reale të produkteve që familjet mund të blejnë.
Përballja me Serbinë e nxjerr edhe më qartë këtë disproporcion: në vitin 2025, për çdo 100 euro të ardhura të disponueshme në Serbi, në Shqipëri llogariteshin 76 euro, në rënie nga 82 euro që ishte ky raport një vit më parë. Kur në ekuacion futen edhe çmimet e tregut, për çdo 100 njësi fuqi blerëse në Serbi, Shqipëria zotëronte vetëm 73 njësi, nga 84 një vit më parë, duke e thelluar hendekun e fuqisë blerëse nga 16 në 27 për qind.
Në shkallë kontinentale, të ardhurat e disponueshme në Shqipëri gjatë vitit 2025 përfaqësonin vetëm 26 për qind të mesatares së Bashkimit Europian në euro dhe 37.5 për qind të saj pasi merren parasysh çmimet, duke e pozicionuar vendin në vendin e fundit në Europë ndër shtetet me të dhëna të raportuara. Në të njëjtën periudhë, të ardhurat në Serbi arritën në 34.1 për qind të mesatares europiane në euro dhe në 51.3 për qind sipas fuqisë blerëse.
Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, shifrat më të fundit të disponueshme i përkasin vitit 2024, ku të ardhurat në Malin e Zi kapnin 29.4 për qind të mesatares së BE-së në euro dhe 46.7 për qind sipas fuqisë blerëse, ndërsa në Maqedoninë e Veriut qëndronin përkatësisht në 20.8 dhe 40.9 për qind. Kjo ecuri tregon se në vitin 2024 shqiptarët kishin 11 për qind më shumë të ardhura në euro sesa banorët e Maqedonisë së Veriut, por me to mund të blinin 13 për qind më pak mallra, ndërsa krahasuar me Malin e Zi fuqia blerëse e të ardhurave në Shqipëri ishte 24 për qind më e ulët.
Ky paradoks përsëritet në mënyrë identike edhe te prodhimi i brendshëm bruto për frymë, ku Shqipëria e kaloi Maqedoninë e Veriut në vlerë nominale në dollarë gjatë vitit 2025, por vendi fqinj vijoi të ruante epërsinë kur i njëjti tregues u mat sipas fuqisë reale blerëse.
Faktori kryesor që shpjegon këtë hendek të thellë me rajonin lidhet me shtrenjtimin e ushqimeve, të cilat për herë të parë në vitin 2025 tejkaluan mesataren e Bashkimit Europian. Një shportë ushqimore që kushtonte mesatarisht 100 euro në vendet e BE-së, në Shqipëri shitej me 102.9 euro, kundrejt 96.6 eurove në Serbi, 84.6 eurove si në Malin e Zi ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë, dhe 74.3 eurove në Maqedoninë e Veriut, duke e renditur Shqipërinë si tregun me ushqimet më të shtrenjta në Ballkanin Perëndimor.
Këto çmime të larta rëndojnë drejtpërdrejt mbi zërin ku familjet shqiptare orientojnë pjesën dërrmuese të buxhetit të tyre mujor. Gjatë vitit 2025, ushqimet dhe pijet joalkoolike zunë plot 39.8 për qind të shpenzimeve familjare për konsum në Shqipëri, kundrejt vetëm 13.2 për qind që është mesatarja në Bashkimin Europian. Kjo strukturë konsumi dëshmon se ushqimet peshojnë rreth tri herë më shumë në buxhetin e një familjeje shqiptare, në një kohë kur çmimet e tyre janë rreth 3 për qind mbi mesataren europiane, ndërsa të ardhurat mesatare të disponueshme mbeten sa një e katërta e nivelit të BE-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






