

Rreth 11,4 mijë studentë nga Shqipëria ndiqnin studimet e larta jashtë vendit në vitin 2024, një shifër kjo që e pozicionon vendin në krye të të gjithë rajonit të Ballkanit. Të rinjtë shqiptarë rezultojnë më të orientuarit drejt arsimimit ndërkombëtar në rajon, duke ia kaluar me 28 për qind edhe Serbisë, ndonëse kjo e fundit ka një popullsi tre herë më të madhe. Albania News 365
Sa i përket hartës së destinacioneve, Italia vijon të mbetet zgjedhja e parë me 3,561 studentë shqiptarë të regjistruar gjatë vitit 2024, por Gjermania po fiton gjithnjë e më shumë terren duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me 2,965 studentë. Shteti gjerman po bëhet një magnet gjithnjë e më tërheqës për rininë shqiptare, me një rritje prej rreth 19 për qind të numrit të studentëve që prej vitit 2021, krahasuar me rritjen më modeste prej 5 për qind të regjistruar në Itali. Albania News 365
Pas dy vendeve kryesuese renditen Greqia me 1,235 studentë dhe Turqia me 1,023 studentë, ku kjo e fundit ka pësuar një rënie graduale pas kulmit të vitit 2020, ndonëse mbetet mbi kufirin e një mijë studentëve. Më tej në listën e vendeve të preferuara renditen Franca me 579 studentë, Austria me 530, Rumania me 291, Maqedonia e Veriut me 172, Bullgaria me 166, Belgjika me 148 dhe Zvicra me 142 studentë.
Në nivel rajonal, Shqipëria kryeson bindshëm Ballkanin Perëndimor edhe sa i përket pranisë në auditoret e Bashkimit Europian, me 9,968 studentë të regjistruar në vendet anëtare, shifër kjo që shënon një rënie të lehtë prej 4.7 për qind krahasuar me vitin 2023. Nga rreth 29 mijë studentë në total që vijnë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, pas Shqipërisë renditen Serbia me 7,761 studentë, Bosnjë-Hercegovina me 6,080, Maqedonia e Veriut me 2,439, Kosova me 2,020 dhe Mali i Zi me 748 studentë. Gazeta Reforma
Ky trend lëvizshmërie reflekton edhe tablonë e përgjithshme në Bashkimin Europian, i cili në vitin 2024 shënoi një rekord të ri historik me 1,65 milionë studentë të huaj në arsimin e lartë, ose 8.7 për qind e të gjithë popullatës studentore. Nga ky total, rreth 515 mijë studentë vinin nga vende të tjera anëtare të unionit dhe 1,14 milionë nga vende jashtë bllokut, duke konfirmuar një rritje të pandërprerë vjetore që prej vitit 2016.
Brenda BE-së, Gjermania mban vendin e parë si pritësja më e madhe me 438,260 studentë ndërkombëtarë, e ndjekur nga Franca me 284,865 dhe Holanda me 176,470, duke përthithur së bashku 54.5 për qind të totalit. Ndërkohë, peshën më të lartë të studentëve të huaj në raport me totalin e regjistrimeve e regjistron Luksemburgu me 51.5 për qind, i ndjekur nga Malta me 35.6 për qind, Qiproja me 21.6 për qind dhe Austria me 20.8 për qind, ndërsa në fund të kësaj renditjeje me përqindjen më të ulët qëndrojnë Greqia me 2.6 për qind, Kroacia me 3.5 për qind dhe Spanja me 4.6 për qind.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






