Transmetuar më 17-11-2026, 21:31

Uashington, 17 nëntor 2026 – Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka lëshuar një alarm urgjent duke paralajmëruar se kriminelët kibernetikë dhe grupet e sponsorizuara nga shtete të huaja po shfrytëzojnë platformën e inteligjencës artificiale ARTEX për të automatizuar dhe përshpejtuar sulmet ndaj bizneseve dhe organizatave anembanë botës. Sipas njoftimit zyrtar të agjencisë amerikane, ky mjet i avancuar ka aftësinë të reduktojë kohën e një ndërhyrjeje kibernetike — që nga identifikimi i shënjestrës e deri te marrja e aksesit me privilegje të larta administrative — në më pak se tre orë.

FBI bëri me dije se platforma ARTEX është përdorur tashmë në incidente të bujshme, përfshirë komprometimin e zinxhirit të furnizimit të kompanisë "ConnectWise" në muajin tetor, një ngjarajë që rrezikoi mjediset e klientëve të "Microsoft 365" dhe u shtri në tentativa autentikimi ndaj më shumë se 2,250 organizatave të ndryshme. Hetimet dëshmojnë se që prej muajit gusht të këtij viti, aktorë keqdashës e kanë përdorur këtë teknologji për të sulmuar një gamë të gjerë sektorësh jetikë, duke përfshirë shërbimet financiare, institucionet qeveritare, teknologjinë, mbrojtjen, prodhimin e gjysmëpërçuesve, energjinë, shëndetësinë, telekomunikacionin dhe sektorin ligjor.

Përballë këtij rreziku në rritje, autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje kompanive dhe organizatave globale që të shtrëngojnë menjëherë masat e sigurisë, të forcojnë kontrollet e aksesit, të monitorojnë me kujdes aktivitetet e dyshimta të automatizuara dhe të raportojnë çdo incident apo komprometim të mundshëm pranë Qendrës së Ankesave për Krimet në Internet (IC3), në faqen zyrtare ic3.gov.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit