

Bruksel, 17 nëntor 2026 – Tre personat e arrestuar së fundmi në Almeria të Spanjës nën akuzën për vrasjen e një efektivi të policisë belge, janë vënë tashmë nën akuzë edhe për ekzekutimin me armë zjarri të një shtetasi shqiptar pranë Parlamentit Europian në Bruksel. Sipas hetimeve të autoriteteve belge, të dyshuarit, të cilët rezultojnë persona me precedentë të njohur për përfshirje në trafikun e drogës, dyshohet se kanë kryer të dyja atentatet me pasoja fatale brenda pak orësh nga njëri-tjetri.
Ngjarja e parë e rëndë u regjistrua më 12 tetor, rreth orës 17:50, në afërsi të rrugës Wiertz në lagjen Ixelles, vetëm pak metra larg selisë së Parlamentit Europian, ku shtetasi shqiptar u qëllua me tetë plumba dhe dëshmitarët okularë panë një grup prej tre apo katër burrash duke u larguar me vrap nga vendngjarja. Disa orë më vonë, gjatë natës mes 12 dhe 13 tetorit, të njëjtët autorë dyshohet se ekzekutuan me një plumb në kokë 41-vjeçarin Nordine El Talbi, efektiv i Brigadës Kundër Vjedhjeve në Bruksel, i cili kishte shkuar në komunën Jette për të verifikuar një automjet të vjedhur ku u gjetën armë dhe lëndë narkotike. Ndonëse fillimisht dy ngjarjet u hetuan veçmas, analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë rezultoi vendimtar për të vërtetuar se bëhej fjalë për të njëjtin grup kriminal.
Pas krimeve të dyfishta në kryeqytetin belg, autorët u arratisën drejt Spanjës duke përdorur Almerian si pikë tranziti për t’u larguar përmes detit drejt Marokut. Pas shkëmbimit të informacioneve në kohë reale me policinë belge, Garda Civile spanjolle organizoi një operacion të shpejtë pranë portit dhe në një banesë në rrugën Alborán në lagjen Pescadería, duke vënë në pranga tre të dyshuarit pavarësisht rezistencës së tyre fizike, pak çaste përpara se të hipnin në traget.
Siç konfirmoi prokurori i Brukselit, Julien Moinil, në një deklaratë të përbashkët me drejtorin e operacioneve të Policisë Gjyqësore, Eric Jacobs, krahas tre të arrestuarve në Spanjë, në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar janë ndaluar edhe tre bashkëpunëtorë të tjerë, dy në Belgjikë dhe një në një stacion treni në Paris. Ndaj të gjithë personave të përfshirë po zhvillohen hetime të thelluara për vrasje të dyfishtë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale të lidhur me trafikun e drogës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






