

Tiranë, 17 nëntor 2026 – Protesta e zhvilluar pasditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë është shoqëruar me momente të forta tensioni dhe përplasje mes qytetarëve të tubuar dhe forcave të rendit. Strukturat e policisë nuk kanë lejuar vijimin e tubimit në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përballë zyrës së kryeministrit, duke u kërkuar pjesëmarrësve të largohen menjëherë nga zona dhe duke vepruar me ndërhyrje të drejtpërdrejtë për shpërndarjen e tyre.
Efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe të repartit "Shqiponja" kanë rrethuar grupin e protestuesve, duke i shtyrë me qëllim boshatisjen e hapësirës publike. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, forcat e policisë janë futur mes turmës dhe kanë shoqëruar me forcë një protestuese, e cila pavarësisht kundërshtimeve të saj, është tërhequr zvarrë nga efektivët drejt automjeteve të policisë për t’u dërguar në komisariat.
Kjo skemë ndërhyrjeje vjen në vijim të të njëjtës taktikë të ndjekur nga policia edhe gjatë ditës së djeshme, me synimin për të mos lejuar zhvillimin e tubimit të përditshëm nga qytetarët dhe aktivistët, të cilët prej 171 ditësh vijojnë protestën e tyre përpara Kryeministrisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






