

Beograd, 17 nëntor 2026 – Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur sot caktimin e masës së paraburgimit deri në 30 ditë dhe ka lëshuar urdhërarrest ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe organizatorit të sulmit të armatosur në Banjskë, Millan Radoiçiç. Vendimi pason thyerjen e masës së sigurisë nga ana e Radoiçiçit, i cili nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd, duke shkelur detyrimin e vendosur nga gjykata për t’u raportuar në polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Sipas raportimeve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ky zhvillim vjen pas pretendimeve jozyrtare që nisën të qarkullonin që prej datës 13 nëntor se Radoiçiç ishte arratisur drejt Rusisë, pavarësisht se pasaporta i ishte konfiskuar që prej tetorit të vitit 2023. Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar të bëjë publike informacionet e ardhura nga policia, duke u mjaftuar me qëndrimin e mëparshëm se po mbikëqyr zbatimin e masave dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e parapara në bashkëpunim me organet kompetente.
Ndërkohë, zhdukja e Radoiçiçit, i cili u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve të 25 tetorit në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc, shoqërohet edhe me largimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, biznesmenit Zvonko Vesellinoviç. Burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë konfirmuan se Vesellinoviç, së bashku me vëllain e tij Zharko, u nisën me aeroplan nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor duke përdorur pasaporta serbe. Të tre personazhet ndodhen nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për krim të organizuar dhe korrupsion.
Millan Radoiçiç kërkohet ndërkombëtarisht nga INTERPOL-i dhe është nën hetim si nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi, ashtu edhe nga drejtësia në Kosovë, e cila ka ngritur akuza ndaj 45 personave për sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Ndërsa tre prej sulmuesve janë dënuar tashmë në Kosovë, Radoiçiç dhe pjesa tjetër e grupit të akuzuar vijojnë t’i shmangen drejtësisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






