Transmetuar më 17-11-2026, 15:59

Kuçovë, 17 nëntor 2026 – Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka goditur mëngjesin e sotëm familjen e Baftjar dhe Bukurie Pires në fshatin Tapi të Kuçovës, ku një tufë me ujqër ka sulmuar hambarin e banesës së tyre, duke u mbytur të 13 delet që mbanin. Rreth orës 06:30, pasi dëgjuan zhurmat e bagëtive, dy bashkëshortët dolën jashtë për t’i larguar grabitqarët, por u detyruan të tërhiqen me shpejtësi të pushtuar nga frika, pasi një prej ujqërve tentoi të kafshonte kryefamiljarin. Sipas tyre, kjo është hera e parë që ujqërit zbresin kaq pranë zonave të banuara, duke lënë pas një skenë të rëndë me bagëtitë e ngordhura në oborr.

Dëmi ekonomik i shkaktuar ndaj kësaj familjeje është i pallogaritshëm, pasi çifti i të moshuarve siguronte jetesën e përditshme pikërisht nga shitja e qengjave, qumështit të deles dhe nënprodukteve të tij. Duke treguar se bashkëshorti është i sëmurë dhe se nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash për t’u ushqyer, Bukurie Pire bën thirrje urgjente për mbështetje financiare nga shteti dhe institucionet vendore, duke theksuar gjendjen e vështirë ku ndodhen pas humbjes së të gjithë tufës.

Njëkohësisht, banorët e zonës shprehen të tmerruar se tufa e ujqërve mund të rikthehet sërish gjatë natës, duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve. Familja ka depozituar ankesë pranë Bashkisë së Kuçovës, por sipas tyre ende nuk është marrë asnjë masë konkrete, ndaj i kërkojnë drejtuesve vendorë të ndërhyjnë menjëherë për pastrimin e shkurreve dhe ferrave pranë banesave, të cilat po shërbejnë si strehë për kafshët e egra që vërsulen drejt fshatit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit