Transmetuar më 17-11-2026, 15:25

Xi Jinping – Claudia Sheinbaum Pardo, takim në kuadër të APEC-ut

Presidenti kinez Xi Jinping u takua sot në Shenzhen me homologen e tij meksikane Claudia Sheinbaum Pardo, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të APEC-ut.

Gjatë takimit, Xi Jinping u shpreh se Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet e veta me Meksikën nga një perspektivë afatgjatë. Kina është e gatshme të punojë me Meksikën për të nxitur zhvillimin cilësor të marrëdhënieve dypalëshe dhe për të promovuar së bashku ndërtimin e një rajoni të Azi-Paqësorit të begatë, të qëndrueshëm, të hapur, përfshirës dhe harmonik, si edhe të një sistemi qeverisjeje globale më të drejtë e të barabartë, duke dhënë kontribut për mbrojtjen e paqes botërore dhe për arritjen e zhvillimit të përbashkët.

Presidenti tha më tej se dy vendet duhet të thellojnë besimin e ndërsjellë politik, të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, të shtojnë bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, shkencës e teknologjisë, energjisë së pastër, kulturës, turizmit etj., të forcojnë koordinimin në platformat shumëpalëshe, si OKB-ja, duke mbrojtur normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe të thellojnë bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve latine.

Nga ana e saj, presidentja Claudia Sheinbaum Pardo u shpreh se Meksika i përmbahet me vendosmëri parimit të "Një Kine" dhe i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën.

Pala meksikane është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me palën kineze në fushat e tregtisë, investimeve, shkencës e teknologjisë, prodhimit, inteligjencës artificiale, bujqësisë, burimeve ujore etj., duke promovuar edhe shkëmbimet në shëndetësi, arsim dhe turizëm.

Si organizuese e takimit të APEC-ut të këtij viti, Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të Azi-Paqësorit, tha Pardo, duke shprehur besimin që takimi i ardhshëm i liderëve ekonomikë do të ketë sukses të plotë, duke hedhur një themel të fortë për bashkëpunimin e ardhshëm të Azi-Paqësorit.

Meksika do të organizojë Takimin e APEC-ut të vitit 2028 dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të forcuar koordinimin dhe për të mbrojtur interesat e përbashkët të Jugut Global, shtoi presidentja meksikane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit