Transmetuar më 17-11-2026, 15:07

Operacioni “Dark Capital” në Tiranë, sekuestrohen mbi 10 milionë euro pasuri, 6 biznese dhe prona në emër të bashkëshortes, çfarë zbuluan hetimet

Tiranë – Një operacion i gjerë kundër pasurive të dyshuara me origjinë kriminale është finalizuar nga Policia e Tiranës, duke çuar në sekuestrimin e pronave, bizneseve dhe automjeteve me vlerë të përgjithshme mbi 10 milionë euro.

Ilir Shehu raportohet të jetë pronar i katër prej kompanive të rëndësishme farmaceutike në Tiranë, Medicamenta, Megastore, Unipharma dhe Italialba Pharma. Medicamenta dhe Megastore rezultojnë të jenë përfitues të tenderave të shumtë publikë. Veçanërisht Medicamenta, sipas burimeve të hapura, ka fituar 673 gara nga institucione të ndryshme publike, kryesisht spitale, me një vlerë prej mbi 1.93 miliardë lekë ose afro 21.4 milionë euro (me kursin aktual).

Policia e Tiranës veçon se Ilir Shehu përfshirë ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale, si trafikimi i narkotikëve, shfrytëzimi i prostitucionit, rrëmbimi dhe heqja e paligjshme të lirisë, përfitimi i mallrave të vjedhura

Operacioni i koduar “DARK CAPITAL” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj 51-vjeçarit Ilir Shehu të dyshuar për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, janë sekuestruar pasuritë e Ilir Shehu, alias Ilir Pasholli, 51 vjeç, si dhe pasuri të personave dhe subjekteve të lidhura me të.

Konkretisht, autoritetet kanë vendosur sekuestro mbi 14 pasuri të paluajtshme, 6 pasuri të tjera të regjistruara në emër të bashkëshortes së tij, H. Sh., 6 subjekte tregtare, mes të cilave edhe biznese që operojnë në sektorin farmaceutik, si dhe 8 automjete.

Vlera totale e pasurive të sekuestruara përllogaritet në mbi 10 milionë euro, ndërsa ato do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Hetimet e kryera nga autoritetet kanë ngritur dyshime se 51-vjeçari ka qenë i përfshirë ndër vite në një sërë veprimtarish kriminale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike, shfrytëzimin e prostitucionit, rrëmbimin dhe heqjen e paligjshme të lirisë, si dhe përfitimin e mallrave të vjedhura.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit