

TIRANË — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se paketa e re fiskale do të rëndojë më shumë mbi shtresat në nevojë, duke sjellë rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha kritikoi ndryshimet në skemën e TVSH-së, duke deklaruar se përfshirja e 17 500 subjekteve të reja në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar do të sjellë rritjen e çmimeve në dyqanet që tregtojnë ushqime dhe produkte bazë.
Sipas tij, pavarësisht uljes së pretenduar të TVSH-së nga 20 në 6 për qind për kategori të caktuara, zgjerimi i bazës së subjekteve që i nënshtrohen këtij tatimi do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për konsumatorët. Berisha u ndal edhe te përfshirja e profesioneve të lira në skemën fiskale, duke paralajmëruar se kjo do të sjellë shtrenjtim të shërbimeve, falimentim të disa aktiviteteve dhe largim të profesionistëve nga Shqipëria.
“Më kaq akoma, gjoja po u qan hallin shtresës në nevojë, shtresës më të varfër dhe po ul TVSH-në nga 20 në 6 për qind. Kjo është identike me atë që po bën me taksën e qarkullimit. Po pse, çfarë ka bërë? Ka futur në TVSH 17 500 subjekte, të cilat janë në tërësi subjekte pa TVSH dhe që janë në tërësi dyqanet e shitjes së ushqimeve, të mallrave bazë, të cilat automatikisht do të rrisin çmimet. A ka mendje më të mbrapshtë se kjo? Në një anë thotë po i ulim, po mirë, në anën tjetër këto po i fusim në TVSH. Janë futur të gjitha dyqanet që shesin ushqime bazë, produktet bazë dhe po kaq keq, dhe po kaq e dëmshme për qytetarin është se këtu futen profesionet e lira. Futja e profesioneve të lira do të thotë dyfishim i çmimit të shërbimeve ose falimentim dhe largim nga Shqipëria”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve shtoi më tej se kjo paketë ndëshkon qytetarët në nevojë në çdo shërbim që ata marrin, duke përmendur dhomat e tregtisë dhe organizatat përfaqësuese që kanë dalë kundër saj.
“Pra, paketa që gjoja e bëri për t’u qarë hallin qytetarëve në nevojë, në fakt ndëshkon më shumë se të gjithë të tjerët qytetarët në nevojë. Do të shkojë te dentisti, do paguajë më shumë se ia ka rritur tatimfitimin në 23 për qind. Do të shkojë tek avokati, do i presë tarifën. Kudo që të shkojë qytetari, do gjejë një çmim më të lartë. Ndaj dhe të gjitha dhomat e tregtisë, të gjitha organizatat përfaqësuese në unison janë ngritur kundër kësaj pakete të pashembullt, me efekte rrënuese në ekonominë shqiptare”, vijoi ai.
Gjithashtu, Berisha ngriti shqetësime edhe lidhur me ecurinë e investimeve të huaja dhe përqendrimin e ekonomisë në kryeqytet.
“Ju jeni të informuar se investimet e huaja në Shqipëri janë në rënie dramatike. Kë quajnë investim të huaj këta? Investim të huaj quajnë fitimet e kompanive të huaja në Shqipëri që investohen në Shqipëri. Ky nuk është kapital që vjen nga jashtë, ky është kapital shqiptar. Ky krijohet në Shqipëri, investohet në Shqipëri. 800 milionë janë këto. Tjetër, rrofshin çunat që blejnë apartamentet me 4 mijë euro metri katror. Zëri më i fuqishëm i investimeve të huaja është real estate. Sigurisht industria kokëposhtë, në rënie katastrofale. Çfarë investimesh të huaja? E dhëna e fundit, 80 për qind e ekonomisë e përqendruar në Tiranë. Jo në fabrika. Tirana nuk ka as gishtërinjtë e dorës fabrika. Ka kullat, monumente të drogës dhe korrupsionit. Pra, rrofshin kullat me çmime stratosferike”, përfundoi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






