

PRISHTINË — Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se më 16 nëntor 2026, në Gjykatën Crown Court në Norwich të Mbretërisë së Bashkuar, pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bali Hoxha, është shpallur i pafajshëm.
Gjatë seancës gjyqësore, Prokuroria britanike konfirmoi se nuk do të paraqiste prova kundër tij, ndërsa trupi gjykues urdhëroi regjistrimin e vendimit lirues lidhur me akuzën për veprën penale të përdhunimit. Me shpalljen e këtij vendimi, të gjitha procedurat gjyqësore ndaj pjesëtarit të FSK-së kanë përfunduar.
Në njoftimin e saj zyrtar, Ministria e Mbrojtjes rithekson përkushtimin ndaj sundimit të ligjit, pavarësisë së drejtësisë dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
28-vjeçari, i cili ishte i vendosur në Kampin West Tofts në Thetford, Norfolk të Anglisë, përballej me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual ndaj një gruaje, ndërsa po ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase. Hoxha i kishte mohuar vazhdimisht akuzat e ngritura ndaj tij për ngjarjen e dyshuar më 17 shtator përgjatë një shtegu këmbësorësh midis Rrugës Prince of Wales dhe Parkut Tregtar Riverside.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






