

TIRANË — Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka reaguar pas raportimeve mediatike lidhur me deklaratat e tij të mbajtura në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Majko mohon kategorikisht të ketë folur për video erotike, duke sqaruar se shqetësimi i ngritur prej tij ka të bëjë me kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar, si dhe me video të sekuestruara nga SPAK.
“Po ndjek me humor ‘daullet’ e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PSSH jam ‘shqetësuar’ për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mi socialistë! Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika! Në fjalën time përmenda veç një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK! Asnjë fjalë për ‘erotizmin’ apo ‘videot e seksit’!”, shkruan Majko.
Deputeti socialist shton më tej se i vetmi gazetar që e ka kontaktuar për të konfirmuar deklaratat e tij ka qenë Muhamed Veliu, duke ironizuar trajtimin mediatik të çështjes.
“I vetmi gazetar që më pyeti për të konfirmuar deklarimet e mia ishte Muhamed Veliu! Fevziut i pëlqeu më shumë ‘varianti me seks’! Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda ‘videot erotike’ sesa kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Ndjesë për zhgënjimin!”, përfundon reagimi i tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






