Transmetuar më 17-11-2026, 13:54

TIRANË — Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit Ilir Shehu, alias Ilir Pasholli, si dhe të personave e subjekteve të lidhura me të. Masa e sekuestros përfshin subjektet tregtare “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”, tetë prona të paluajtshme në emër të tij, tetë automjete, si dhe pasuri të regjistruara në emër të subjekteve të tjera të lidhura.

Hetimet në kuadër të procedimit pasuror nr. 23 nisën mbi bazën e akteve të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, lidhur me dyshimet se shtetasi I. Sh., alias I. P., dhe persona të lidhur me të zotëronin pasuri të përfituara në mënyrë të paligjshme nga përfshirja në aktivitetin kriminal të lëndëve narkotike. Nga verifikimet rezultoi se ai ishte zbuluar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë.

Sipas hetimeve, ai kryente blerje të barnave në Itali me fatura zyrtare, duke regjistruar mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë, të cilët kalonin doganën italiane me vlerë dhe peshë reale. Në doganën shqiptare kryhej manipulimi i dokumentacionit, duke ruajtur vlerën dhe peshën totale, por duke shkurtuar listën në vetëm 4 ose 5 produkte, ndërsa pjesa tjetër futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt dhe legalizohej përmes një operatori tjetër për të fshehur origjinën e kontrabandës.

Nga analiza e dokumentacionit rezulton se pasuritë e tij kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale, pasi ai rezulton i dënuar më parë për trafik ndërkombëtar droge në Itali, si dhe për veprat penale “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Gjithashtu, ai zotëron dy godina biznesi në Tiranë të krijuara pas dënimit në Itali, ndërsa aksioneri italian i kompanisë “Medicamenta” rezulton nën akuzë për korrupsion në vendin e tij.

Për këto arsye, Prokuroria e Tiranës sekuestroi tetë pasuri të paluajtshme të regjistruara në emër të Ilir Pashollit në zonat kadastrale 2119 dhe 2735, një pasuri të paluajtshme dhe tetë automjete të markave “Peugeot”, “Volkswagen”, “Mercedes-Benz”, “Skoda” dhe “Land Rover” në emër të subjektit “Mega Store” sh.p.k.

Po ashtu, nën sekuestro janë vendosur aktivitetet tregtare “I. Sh.” PF, “Medicamenta” sh.p.k., “Megastore” sh.p.k., “Unipharma” sh.p.k. dhe “Italialba Pharma” sh.p.k., si dhe gjashtë pasuri të paluajtshme të regjistruara në emër të shtetasit H. Sh. pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Elbasan.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit