

Vetëm 41 vjeç, Ermal Lulaj u shua në një aksident tragjik që ndodhi mbrëmë, ngjarje ku u plagos rëndë dhe 63 vjeçari Thanas Poçaj.
I ndjeri, prej 20 vitesh në polici dhe me gradën Kryekomisar, mbante detyrën e shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur, me vdekjen e tij të mbetur jetimë.
Sot, për nder të tij u zhvilluan homazhe në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, raporton noa.al.
Në homazhe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, tha se Ermal Lulaj do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje nga kolegët dhe i gjithë komuniteti i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, siguroi familjarët dhe fëmijët e Ermalit se do të kenë përherë mbështetjen e Policisë së Shtetit.
"Ermalin e kam njohur që në fillimet e karrierës. Ndjej një keqardhje shumë të madhe për mënyrën se si u largua kaq shpejt nga jeta. Na u largua një baba i tre fëmijëve, bir i një familjeje shumë të mirë dhe një koleg i shkëlqyer. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë kolegëve”, tha Hita.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






