Transmetuar më 17-11-2026, 12:15

PRISHTINË — Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar si “të turpshëm” dhe “të papranueshëm” aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.

Në një reagim publik në rrjetin social Facebook, Çitaku shprehu zhgënjim dhe shqetësim të thellë për vendimin e shpallur ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e administrimit të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara.

“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate”, shkroi ajo.

Gjithashtu, zyrtarja e lartë e PDK-së paralajmëroi ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm politikë, juridikë dhe diplomatikë në përgjigje të këtij vendimi gjyqësor, duke rikonfirmuar mbështetjen për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”, përfundoi reagimi i Vlora Çitakut.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit