

TIRANË — Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale të një videoje, ku një grua shfaqet duke folur në mënyrë të papërshtatshme dhe duke tundur një kartëmonedhë 100 euro në një ambient publik.
Në deklaratën e saj, Kushi mohon kategorikisht të jetë personi që shfaqet në pamjet që po qarkullojnë, duke i cilësuar ato si një përpjekje për manipulimin e identitetit dhe dëmtimin e reputacionit të saj, ndërsa bën me dije se ka depozituar një kallëzim pranë organeve kompetente.
“Në rrjetet sociale po qarkullon një video, në të cilën pretendohet se personi që shfaqet jam unë. Dua ta bëj të qartë se kjo nuk është e vërtetë. Personi në video nuk jam unë dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë përmbajtje. Është e papranueshme që, përmes manipulimit dhe keqpërdorimit të teknologjisë, të tentohet të tjetërsohet identiteti i një personi dhe të cenohet dinjiteti dhe reputacioni i tij”, deklaroi Kushi.
Deputetja thekson se ka kërkuar nga autoritetet hetimin e plotë të rastit, identifikimin e përgjegjësve dhe heqjen e menjëhershme të materialeve nga platformat digjitale.
“Për këtë arsye, sot kam paraqitur një kallëzim pranë organeve kompetente, duke kërkuar hetimin e plotë të rastit, identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave për heqjen e menjëhershme të videos nga platformat ku është publikuar. Kjo nuk është thjesht një çështje personale. Është një çështje që lidhet me respektimin e dinjitetit njerëzor, mbrojtjen e identitetit dhe përgjegjësinë që secili duhet të mbajë për atë që krijon, publikon apo shpërndan në hapësirën digjitale”, përfundon reagimi i saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






