

VLORË — Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, janë sekuestruar prona me vlerë 7.5 milionë euro në emër të shtetasit G. V., i akuzuar për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasve A. C., V. Q. dhe G. Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi G. V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme “Fabrika e Miellit nr. 1” në Vlorë, duke e regjistruar atë si pronë personale dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k. Përmes këtij veprimi, ai ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të shoqërisë, shtetasve A. C., G. Z. dhe V. Q.
Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi e provuar se G. V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K. B. dhe Xh. Ç., duke konsumuar kështu edhe elementët e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Për rrjedhojë, me kërkesë të organit të akuzës u vendos masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për tetë pasuri të paluajtshme në Vlorë: një ndërtesë me sipërfaqe 950 m², një njësi me sipërfaqe 923 m², si dhe dy sipërfaqe trualli prej 2,832 m² dhe 10,500 m² në lagjen “1 Maji”, të regjistruara në emër të shtetasit G. V.
Po ashtu, nën sekuestro preventive janë vendosur edhe një truall me sipërfaqe 2,172 m², pjesë e objektit “Fabrika e Miellit”, dhe dy depo me sipërfaqe 1,263 m² të regjistruara në emër të shtetasit K. B., si dhe një pjesë e katit të dytë të depos së grurit me sipërfaqe 127 m² dhe një pjesë trualli prej 25 m², të regjistruara në emër të shtetasit Xh. Ç.
Njoftimi:
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM VLORË Dyshime për përvetësimin nëpërmjet mashtrimit të Fabrikës së Miellit, Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5. milionë euro pasuri të shtetasit G.V. Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u sekuestruan prona me vlerë 7.5 milionë euro të shtetasit G.V., i akuzuar për veprat penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal. Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasve A.C., V.Q., G.Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme "Fabrika e Miellit nr.1" në Vlorë, duke e regjistruar atë si të vetën dhe jo si aset të shoqërisë "P….." sh.p.k. Kësisoj, nga ky përvetësim i paligjshëm, personi nën hetim G.V. ka cenuar interesat pasurore te ortakëve të tjerë të shoqërisë "P….." sh.p.k. shtetasve A.C, G.Z dhe V.Q. Në vijim, rezultoi e provuar se personi nën hetim G.V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke u dyshuar se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" e parashikuar nga neni 287, pika 1, germa a) të Kodit Penal.
Për rrjedhojë, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:
a) Pasurinë e llojit “Ndërtesë” me sip. 950 m² ndodhur Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V; b) Pasurinë e llojit “Njësi” me sip. 923 m², ndodhur në Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.; c) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 2.832 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.; d) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 10.500 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.; e) Pasurinë e llojit “Truall” me sipërfaqe prej 2.172 m² (pjesë e objektit Fabrika e Miellit), Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.; f) Pasurinë me nr.4/156 (depo nr. 1, depo nr. 2), me sip.1.263 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.; g) Pasurinë nr. 4/154+1- 2/1 (një pjesë të katit të dytë të depos së grurit) me sip.127 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.; dhe h) Pasurinë me nr. 4/158 (një pjesë trualli) me sip.25 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






