

HAGË — Ka nisur seanca në Gjykatën Speciale në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkakuzuarve të tij në procesin gjyqësor për pengim të drejtësisë.
Gjykatësi Christopher Gosnell deklaroi në nisje të seancës se Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij akuzohen se kishin rënë në marrëveshje për të ndërmarrë veprime të përbashkëta, me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që, nëse Thaçi shpallet fajtor dhe dënohet edhe për pengim të drejtësisë, dënimi prej gjashtë vitesh burgim t’i shtohet dënimit të tij të mëparshëm.
Lidhur me këtë procedurë, ligjëruesi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, Mathias Holvoet, shpjegoi se bashkimi apo shtimi i dënimeve është një praktikë e zakonshme në gjykatat penale ndërkombëtare. Sipas tij, nëse trupi gjykues pranon kërkesën e Prokurorisë, Thaçi mund të përballet me dy dënime që së bashku arrijnë në 31 vjet burgim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






